AKTUALITET, 11 Prill 2020, 16:53

Argumentimi i gjykatës/ Pse u lirua nga qelia ish-zyrtari i burgut, u akuzua për krimin në Kavajë

Ndryshimi i akuzës ka bërë që, Bledar Toçi, ish-shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit, të lirohet nga qelia.

Sipas "Panorama", ndaj Bledar Toçit ka ndryshuar akuza nga vrasje dhe prodhimi e shitja e lendeve narkotike. Tashmë ai akuzohet vetëm për lëndën narkotike. Kjo pasi akuza e vrasjes ka rënë, pasi gjykata e ka konsideruar vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes.

Ish zyrtari i burgut të Durrësit, Bledar Toçi, që qëlloi me armën e shërbimit dhe la të vdekur në vend shtetasin Dritan Haxholli, pas përplasjes në shtëpinë e Marsida Qatjas në Kavaje, u akuzua per vrasje me dashje. Akuzën, e ngriti policia qe pak ore pas krimit, ku njoftoi edhe arrestimin e Tocit ne spital.

“Nisur nga provat e siguruara në vendngjarje dhe dëshmitë e personazheve të përfshirë, prokuroria ka dalë në konkluzionin paraprak se Bledar Toçi nuk e vrau Haxhollin për vetëmbrojtje, ndaj për këtë shkak ndaj zyrtarit të burgjeve është ngritur akuza e vrasjes me dashje”- thuhej ne dosje.

Gjithashtu mbi supet e zyrtarit të burgjeve dhe vëllait të tij Bernard Toçi u ngrit edhe akuza e mbajtjes së lëndëve narkotike.

NGJARJA SIPAS DOSJES SE PROKURORISE

Nga materialet e para referuese të Prokurorisë, rezulton se shtetasja Marsida Qatja jeton në një apartament në lagjen nr.2, Kavajë. Më datë 9 tetor 2019, ajo ka takuar shtetasin Bledar Toçi, me të cilin ka njohje shoqërore dhe i ka treguar për një problem të sajin në lidhje me shtetasin Dritan Haxholli. Shtetasi Bledar Toçi ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi dhe i ka thënë Marsidës se do të vinte ai te shtëpia e saj.

Ndërkohë, në orët e pasdites, te shtëpia e Marsidës kanë shkuar shtetasit, Ermir Çela, Xhulio Biturku, Bledar Toçi, të cilët janë lidhje shoqërore e Marsidës dhe kanë konsumuar aty lëndë narkotike, kokainë, të cilën ua ka sjellë shtetasi Bernard Toçi. Edhe në darkë, rreth orës 20:30, shtetasi Xhulio Biturku dhe Ermir Çela kanë qëndruar në shtëpinë e Marsidës, ndërsa shtetasi Bledar Toçi ka dalë dhe është kthyer pas 30 minutash, ku ka siguruar lëndë narkotike dhe të gjithë së bashku kanë ngrënë darkë dhe kanë konsumuar pije alkoolike, birra dhe më pas lëndë narkotike.

Rreth orës 00:30, te shtëpia e Marsidës ka shkuar shtetasi Dritan Haxholli, i cili fillimisht ka trokitur te dritarja e katit të parë. Shtetasja Marsida Qatja i ka hapur derën kryesore dhe shtetasi Dritan Haxholli ka hyrë brenda dhe në duar mbante një armë zjarri, automatik model 56, të cilin fillimisht ia ka drejtuar shtetasit Xhulio Biturku, duke i thënë: “… me ty kam punë pastaj“.

Më pas i është drejtuar shtetasit Bledar Toçi dhe i ka thënë: “Pse ma bën ti këtë?”. Pasi ka thënë këto fjalë, shtetasi Dritan Haxholli ka qëlluar në drejtim të shtetasit Bledar Toçi, i cili ka marrë një plagë në anën e djathtë të fytit. Në vijim, edhe shtetasi Bledar Toçi, me armën e tij të shërbimit, të markës “Glock”, ka qëlluar disa herë në drejtim të shtetasit Dritan Haxholli, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen në vend.