TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjermania e konsideron Rusinë përgjegjëse për sulmin hibrid të 4 gushtit në aeroportin e Lajpcigut, duke e cilësuar incidentin si pjesë të një serie veprimesh që Berlini ia atribuon Moskës.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se hetimet policore, mënyra e kryerjes së sulmit dhe të dhënat e shërbimeve të inteligjencës çojnë në përfundimin se pas incidentit qëndron Rusia.
Dobrindt theksoi se incidenti nuk konsiderohet i izoluar, por pjesë e një serie veprimesh hibride që Berlini ia atribuon Moskës.
Në përgjigje të këtij zhvillimi, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, njoftoi masa të reja ndaj Rusisë. Konsullata ruse në Bon do të mbyllet, ndërsa do të ndërpritet kontrata për Shtëpinë Ruse në Berlin dhe do të forcohen kontrollet ndaj personave.
Gjermania ka thirrur gjithashtu ambasadorin rus për ta informuar mbi masat e marra.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kishte biseduar me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, dhe shprehu solidaritetin e plotë të Bashkimit Evropian me Gjermaninë.
“Sulmet hibride nuk do të mbeten pa një përgjigje të qartë”, theksoi Von der Leyen, duke bërë të ditur se çështja do të diskutohet edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ndërkohë, Moska ka mohuar përgjegjësinë për incidentin dhe ka paralajmëruar se do t’u përgjigjet vendimeve anti-ruse të Gjermanisë.