SPORT, 26 Qershor 2018, 12:27

Angel Di Maria zbulon si Reali i Madridit i mohoi finalen e Kupës së Botës në 2014-ën

Angel Di Maria zbulon si Reali i Madridit i mohoi finalen e Kupës së

Futbollisti i Argjentinës, Angel Di Maria, ka treguar për shtypin britanik arsyen pse ai nuk luajti në finalen e Kupës së Botës në Brazil katër vjet më parë, kur skuadra e tij u mund nga Gjermania.

Sulmuesi anësor i PSG-së tregoi se një letër nga Reali pengoi aktivizimin e tij, pasi klubi i madh spanjoll ishte duke planifikuar shitjen e tij dhe nuk dëshironte që argjentinasi të dëmtohej në atë ndeshje. Për “The Tribune”, Di Maria ka thënë:

“Ishte mëngjesi i ditës kur luhej finalja e Kupës së Botës në vitin 2014. Po merrja një injeksion, pasi kisha pasur një problem muskulor që nga ndeshja çerekfinale. Kështu mund të vrapoja pa problem. U thashë trajnerëve se isha në gjendje të luaja. Në një moment mjeku i skuadrës, Daniel Martinez, erdhi në dhomë dhe më tha: Angel, kjo letër erdhi nga Reali i Madridit për ty. Ata thonë se nuk duhet të luani dhe jemi të detyruar që të vendosim kështu.

U kuptova çfarë po ndodhte. Kishte thashetheme se Reali dëshironte James Rodriguez pas Kupës së Botës dhe e dija që do të më shisnin për t’i bërë vend atij. Reali nuk donte që të dëmtohesha, ishte shumë e thjeshtë. Ky është biznesi në futboll. I thashë mjekut të më jepte letrën, që e bëra copa-copa”. /