TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Danimarka hyn sot në ndeshjen ndaj Francës e ndërgjegjshme që me një barazim do të kalojë në turin tjetër të turneut. Një pikë do të kalonte të dy ekipet qetësisht në fakt, pa ndryshuar hegjemoninë e grupit me francezët të parët e danezët të dytët.
Danimarka
Danezët ishin me fat që u vendosën në një grup jo edhe aq të vështirë dhe që ndeshjen e fundit e luajnë me Francën e kualifikuar, pasi deri tani kanë qenë të qëndrueshëm, por jo edhe aq bindës sa i përket fazës sulmuese.
Sigurisht, statistikat nuk flasin për danezët, të cilët kanë qenë më pak të frikshëm në dekadën e fundit. Kësisoj, ata kanë humbur 4 nga 5 ndeshjet e fundit kundër skuadrave të tjera europiane në Botërorë, me suksesin e fundit që ka qenë ai i vitit 2002, 2-0 pikërisht ndaj Francës.
Ndërkohë, kjo mbetet skuadra e vetme e grupit e cila nuk ka marrë një penallti në favor, pasi tre të tjerat kanë pasur rastin të gjuajnë nga pika e bardhë. Hera e fundit kur të katër skuadrat e një grupi fitonin penallti ishte në vitin 1998, në një grup ku Franca e Danimarka gjendeshin bashkë.
Franca
Francezët vijnë në këtë ndeshje me sigurinë e plotë të kualifikimit, por nuk kanë përcaktuar ende se në cilin vend mund të jenë në grup. Shumëkush mendon se Franca mund të zgjedhë të humbasë këtë sfidë, për të kaluar në anën tjetër të renditjes dhe për të evituar përplasjet e mundshme me Argjentinën, Brazilin e Gjermaninë në turet e ardhshme.
Sido që të shkojë, përballjet mes Francës dhe Danimarkës në Botëror kanë qenë zakonisht me fat për francezët. Skuadrat ndeshen për herë të 6 në një turne madhor pas Euro 1984, Euro 1992, Botërorit 1998, Euro 2000 dhe Botërorit 2002. Franca ka fituar 3 nga 5 turnetë e mëparshëm kur skuadrat janë ndeshur me njëra-tjetrën.
Vetëm një herë më parë Franca ka fituar të tre ndeshjet e saj në fazën në grupe. Ajo ishte në vitin 1998, kur fitoi Botërorin. Ndeshja e fundit në grup ishte pikërisht kundër Danimarkës.
FORMACIONET E MUNDSHME
Danimarka: Shmajkëll, Stryger, Kristensen, Kjaer, Dalsgard, Dileni, Shone, Breithueit, Kornelius, Eriksen, Jorgensen.
Franca: Mandanda, Sidibe, Varane, Kimpembe, Hernandez, Kante, Nzonzi, Tovin, Fekir, Mbape, Zhiru.
Protagonistët
Danimarkës do t’i mungojë Jusuf Poulsen, i pezulluar për kartonë, ndërsa Uilliam Kvist pritet të jetë përsëri jashtë për shkak të dëmtimit të pësuar në ndeshjen e parë. Vëmendja si gjithmonë do të jetë te Kristian Eriksen, i cili ka shënuar 17 gola në 20 ndeshjet e tij të fundit të përfaqësueses.
Nga ana tjetër, Franca bëhet gati për rotacion të madh, pasi fillimisht Deshamp do të mbrojë lojtarët që rrezikojnë pezullimin si Pogba, Matuidi e Toliso. Kapiteni do të jetë Varane, pasi Hugo Loris me shumë mundësi do të jetë në stol për t’i bërë vend Mandanda.
Olivier Zhiru mund ta fillojë ndeshjen titullar edhe për shkak të një ecurie të mirë që ka ndaj danezëve, pasi ka shënuar tre golat e fundit për përfaqësuesen e tij ndaj këtyre kundërshtarëve në ndeshjet e mëparshme.
Por edhe Kilian Mbape kërkon të jetë protagonist sot, pasi synon që të bëhet adoleshenti i parë që nga koha e Majkëll Ouen në vitin 1998, që shënon në më shumë se një ndeshje Botërori.