AKTUALITET, 6 Qershor 2018, 14:52

Analiza e ekspertit: "Arsyet e rënies drastike të euros, kush po përfiton dhe ç'duhet bërë"

Analiza e ekspertit: "Arsyet e rënies drastike të euros, kush po
Ekonomi e fortë, lek i fortë, është një leksion që nuk ka të njëjtin kuptim nga e kundërta. Jo domosdoshmërisht një monedhë e fortë kombëtare tregon për një ekonomi të fortë. Rasti i Shqipërisë, kur kursi i këmbimit ndryshon drejt forcimit të lekut me një ritëm të frikshëm, qartësisht tregon të kundërtën.

Në një analizë për “Panorama”, një ndër analistët më të mirë të ekonomisë dhe financave, Zef Preçi, tregon shkaqet e kësaj situate, por ndryshe nga shumë ekonomistë të tjerë, propozon edhe rrugët e daljes. Për Preçin, ekonomia është në prag të krizës dhe qeveria e Banka e Shqipërisë duhet të reagojnë menjëherë.

Mbiçmimi i lekut, shtatë propozime për debat…

ZEF PREÇI

Tashmë është një fakt i gjithëpranuar se mbiçmimi i monedhës sonë kombëtare – Lekut, është një fenomen përherë e më shqetësues dhe jo një dukuri thjesht kalimtare, siç u përpoqën ta justifikojnë një numër ekspertësh apo zyrtarësh gjatë javëve të fundit. Pa pasur frikë se analiza e mëposhtme do të keqkuptohet apo do të trajtohet si përhapje paniku, në vijim po shpreh opinionin tim jo vetëm për shkaqet, por edhe për rrugëdaljet e mundshme nga kjo situatë në zhvillim e sipër.

Në të vërtetë, nëse për shkaqet është krijuar një perceptim disi më realist në radhët e ekspertëve të ekonomisë, financave, bankave etj. (edhe pse “argumentet” si ‘boom-i’ i turistëve të huaj dhe investimeve të huaja apo rritja e prurjeve të emigracionit, nuk i besojnë as ata që i përsëritin vend e pavend), për rrugëdaljet nuk shoh ende asnjë debat serioz në qarqet vendimmarrëse të vendit.

Teoria e ekonomisë na mëson se një monedhë e mbivlerësuar ka si përparësi kryesore: presionin në rënie mbi inflacionin (d.m.th mallrat e importuara do të jenë më të lira), zgjerimin e mundësive për më shumë importe (d.m.th vlera e lartë e monedhës i detyron prodhuesit vendës të përmirësojnë efikasitetin e tyre për të qenë më konkurrues në tregun ndërkombëtar) etj.

Por treguesit makroekonomikë të ekonomisë sonë kombëtare nuk lejojnë shfrytëzimin e asnjërës nga këto mundë- si, që krijon mbiçmimi i lekut në raport me Euron. Ndërkaq, tashmë ka një evidencë të mjaftueshme për të gjykuar mbi pasojat negative të kësaj situate, të tilla si: përkeqësimi i situatës financiare të eksportuesve (d.m.th eksportet shqiptare janë bërë më pak konkurruese në tregun ndërkombëtar, pra, janë dëmtuar industritë e eksportit, si prodhimet fason, bujqësia etj); tkurrja relative e madhësisë së kursimeve monetare të popullsisë (përndryshe avullimi i tyre), rritja e pajustifikuar e çmimeve në sektorin e ndërtimit, zgjerimi i sektorit informal të ekonomisë (kryerja e transaksioneve në cash dhe jo përmes kanaleve bankare) etj. Kjo e fundit është aq e vërtetë, sa nuk e teprojmë të themi se tashmë politikën monetare të vendit po e bëjnë zyrat noteriale, që certifikojnë këto transaksione dhe jo autoriteti qendror monetar i vendit.

Ndërkaq, duhet pranuar edhe efekti pozitiv i kësaj situate në uljen relative të kostos së borxhit publik, importet janë relativisht më të lira për të blerë për shkak të monedhës së mbivlerësuar. Po kështu, orientimi përherë e më shumë i konsumatorëve drejt importit, nuk mund të mos dëmtojnë industritë vendëse, edhe kështu siç janë, duke punuar nën kapacitet dhe në një shkallë të ulët të zhvillimit të tyre.

Siç na mëson teoria dhe studimet statistikore në vende të ndryshme dhe historitë e rasteve të ngjashme, konfirmojnë si gjetje themelore që mbivlerësimi i kursit të këmbimit mund të zvogëlojë efikasitetin ekonomik, të shpërndajë burimet e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik në mënyrë të gabuar, të nxisë largimin e kapitalit nga vendi etj.. Këto mund të jenë konsekuencat më të mundshme të situatës së pazakontë që po kalon vendi në fushën monetare. D.m.th, kjo situatë mund të përkeqësojë efektivitetin ekonomik, që përkthehet në shumë falimentime biznesesh dhe papunësi më e lartë, mosrritje pa gash dhe përkeqësim të statusit të të punësuarve; zhvendosje e miliona eurove investime në veprimtari, që nuk kanë lidhje me rritjen ekonomike dhe punësimin, siç janë p.sh investimet në qiellgërvishtësit në qendër të Tiranës dhe shndërrimi në borxh të shtetit i investimeve private në infrastrukturën publike, kontratat e partneritetit publik-privat), zgjerimi i mundësive për futjen në qarkullim ekonomik të parave me origjinë kriminale – të drogës etj.); largimi i qindra miliona eurove nga vendi, ulja e atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte, të cilat edhe pa këtë pragkrize mungonin prej të paktën 4-5 vitesh etj.

Në vlerësimin tim, është koha të pranojmë se përpjekjet për të mbrojtur një kurs këmbimi të tillë të mbivlerësuar të këmbimit të euros në tregun e brendshëm nëpërmjet injorimit nga politika monetare e vendit, rrezikon ta zhysë ekonominë tonë kombëtare në recension. Ndoshta në ndërmarrjen e politikave fiskale, të politikave monetare apo të fushatave të ndërgjegjësimit publik mund të gjenden edhe disa nga rrugëzgjidhjet që zbusin sadopak efektet afatmesme dhe afatgjate të kësaj situate.

Edhe pse mungojnë të dhënat zyrtare mbi sasinë e parave informale dhe atyre me origjinë kriminale që qarkullojnë në ekonominë shqiptare, mendoj se ndikimi shumëdimensional i këtyre parave, duke përfshirë edhe nivelin e demokracisë në vend, do të vijë duke u rritur krahas me ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe humbjen e besimit në këtë ekonomi që shoqëron mbiçmimin e lekut shqiptar.

Në këto kushte, mendoj se një skenar i thjeshtë ndërhyrjesh mund të përfshinte këto elemente kryesore:

1. Braktisjen nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria e fushatës për de-eurozimin e ekonomisë sonë kombëtare. Kjo do të ndihmonte që bankat të zgjerojnë kreditimin e ekonomisë reale, duke ulur njëkohësisht edhe kërkesën e rritur artificialisht për lekë shqiptarë.

2. Banka e Shqipërisë, qeveria shqiptare dhe institucionet ligjzbatuse të bashkëpunojnë gjerësisht për forcimin e kontrollit, mbikëqyrjes dhe parandalimit të pastrimit të parave për të ndëshkuar si përfshirjen e bankave në operacione të tilla, por edhe investimin e këtyre parave në ekonominë tonë kombëtare siç janë sektori i ndërtimit, lojërat e fatit (kazinotë), tregtia online, etj.

3. Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në tregun e monedhës për frenimin e këtij procesi zhvlerësimi të euros, të bashkëpunojë gjerësisht me konsumatorët, depozituesit dhe bizneset me qëllim që situata të normalizohet gradualisht pa shkaktuar pasoja të tjera më të rënda në ekonominë tonë kombëtare.

4. Qeveria të rishikojë politikat fiskale të ndjekura deri më sot më qëllim anulimin e përjashtimeve dhe favoreve fiskale (përndryshe të nxitësve fiskalë) dhe rikthimin në fillim të vitit 2019 te taksa e sheshtë, ndoshta në një nivel pak më të rritur, p.sh. 12% me qëllim që të mos preket niveli i të ardhurave buxhetore dhe të ruhet ritmi i parashikuar i rritjes së tyre, duke zgjeruar bazën tatimore dhe kurrsesi rritur taksat, siç ka rrezik të ndodhë në kushtet e sotme.

5. Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare të hartojnë një plan kombëtar trevjeçar për adoptimin e euros duke zëvendë- suar lekun shqiptar. Shpallja e këtij plani do të dekurajonte procesin e sotëm të zhvlerësimit të euros duke rikthyer besimin e investitorëve dhe të konsumatorëve në të.

6. Qeveria shqiptare të rivlerësojë buxhetin e shtetit për vitin ne vijim me qëllim rishikimin në ulje të shpenzimeve operative në funksion të garantimit të kryerjes së investimeve publike edhe në kushtet e mosrealizimit të të ardhurave të parashikuara. Pezullimi i zbatimit të kontratave koncesionare të tipit PPP dhe përmirësimi i klimës së biznesit të shihet si mundësia kryesore për të kompensuar ngadalësimin e rritjes ekonomike të shkaktuar nga zhvlerësimi i euros.

7. Qeveria shqiptare të ndalojë me ligj hyrjen e kompanive të tipit “off-shore” dhe të rregullojë me ligj detyrimin e kompanive të tilla që janë prezente në ekonominë shqiptare për deklarimin e aksionerëve, bordeve drejtuese, transaksioneve etj., nën shembullin e amendimeve përkatëse të BE-së, të kryera gjatë vitit të fundit.

/Panorama/