AKTUALITET, 16 Shkurt 2019, 09:19

Ambasada e SHBA në Shkup apel pas parandalimit të sulmit terrorist: Kujdes! ISIS do sulmojë qytetarët!

Ambasada e SHBA në Shkup apel pas parandalimit të sulmit terrorist:

Menjëherë pas komunikatës së MPB-së se struktura radikale të ISIS-it kanë planifikuar sulme terroriste në Maqedoninë e Veriut, Ambasada e SHBA-së në Shkup paralajmëroi se është rritur rreziku nga sulmet terroriste.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Ambasada amerikane thotë se qytetarët janë në shënjestër të terroristëve të ISIS-it.

ISIS ka për qëllim që t’i sulmojë qytetarët, duke përfshirë edhe qytetarët amerikan që udhëtojnë jashtë shtetit. Terroristët po përdorin gjithnjë e më shumë metoda më pak të sofistikuara” thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së.

Ekziston rrezik i lartë i sulmeve terroriste të frymëzuar nga ideologjitë ekstremiste në Maqedoninë e Veriut. Sulmet terroriste dhe incidentet tjera të sigurisë shpesh ndodhin pa asnjë paralajmërim, ndërsa qytetarët e SHBA-së inkurajohen që të jenë të vëmendshëm.

Ekstremistët më shumë tentojnë të identifikojnë dhe të sulmojnë “objektivat e mëdha” siç janë qendrat tregtare dhe tregjet, aeroportet, hotelet, klubet dhe restorantet, vendet e adhurimit, shkollat, mitingjet partiake, demonstratat, festat”, shkruan më tej në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane në Shkup.

Reagimi i policisë, parandalohet sulmi terrorist

Policia ndërmori masa operativo-teknike dhe bastisje në disa lokacione lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e shtetit tonë nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetës të ISIS.

Ministria e Punëve të Brendshme, pas njohurive operative të këmbyera paraprakisht me një vend partner, lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetëse të SHI-së, zbatoi masa operativo-teknike me qëllim të identifikimit të organizuesve të mundshëm dhe kryerësve potencial të sulmit.

Me qëllim të pengimit të sulmit terrorist dhe realizimit të funksionit preventiv, Ministria e Punëve të Brendshme përpunoi plan të masave dhe aktiviteteve, për çka siguroi urdhra adekuate për zbatimin e tyre”, informojnë nga MPB.

Nga Ministria informojnë se vazhdojnë të kryejnë veprime, masa dhe aktivitete me të cilat punohet në sigurimin e qytetarëve.