AKTUALITET, 23 Korrik 2018, 18:34

“Alieni” Ronaldo sjell në Torino pajisjen e stërvitjes që ka blerë nga NASA

“Alieni” Ronaldo sjell në Torino pajisjen e stërvitjes

Kristiano Ronaldo njihet për talentin, golat e tij dhe mënyrën se si kujdeset deri në detajet më të vogla për përgatitjen fizike, në mënyrë që trupi i tij të jetë gjithmonë në maksimum. Kjo është arsyeja pse në moshën 33-vjeçare, parametrat e tij krahasohen shpesh me ato të 20-vjeçarëve dhe se për të mosha e pensionit duket shumë larg.

Portugezi nuk dëshiron të heqë dorë nga ky stil jete që e ka shoqëruar për shumë vite në Spanjë as në Itali, ndaj ka porositur që tani që t’i sjellin në Torino, sapo të gjejë shtëpinë ku do të banojë, një pajisje të veçantë që ai e ka blerë personalisht nga NASA dhe që i mundëson të stërvitet në kushtet e mungesës së forcës së rëndesës.

NASA ka ndërtuar një pajisje të tillë për t’i mundësuar astronautëve që të stërviten në kushte të ndryshme dhe të përshtaten shpejt me çdo lloj trysnie atmosferike. Ronaldo e kishte blerë menjëherë pajisjen dhe instaluar atë në shtëpinë e tij në Madrid, ku përgatiste ndeshjet në një dhomë të mirëfilltë ajri ku mungesa e forcës së rëndesës arrin deri në 80%.

Ky është një tjetër sinjal përkushtimi i Ronaldos, që tregon se ai dëshiron të lërë shenjë në Serinë A dhe jo të shkojë aty thjesht për pushime.