AKTUALITET, 24 Mars 2020, 11:55

Alarmante situata në Korçë, gjashtë persona të tjerë rezultojnë të infektuar me koronavirus


Ka arritur në 123 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, ndërsa numri i personave që kanë ndërruar jetë është rritur në pesë.

Situata nuk duket aspak e mirë në Korçë, qyteti juglindor kishte tre reaste të konfirmuara dhe vetëm brenda 24 orëve të fundit janë shtuar edhe 6 raste të reja.

Sa i përket rasteve të para, bëhej fjalë për një 33-vjeçar dhe dy të moshuar.

Duke raportuar nga Korça për Abc News, gazetarja Lediona Xheladinaj është shprehur se mes personave të konfirmuar ditën e sotme në qytetin juglindor janë të afërm të dy të moshuarve.

Xheladinaj thotë, se nga burime jo-zyrtare, është informuar se konkretisht bëhet fjalë për djalin e bashkëshortëve, nusen dhe nipin e tyre. Ndërsa, për 33-vjeçarin, gazetarja raportoi se ISHP është monitoruar personat që mund të kenë pasur kontakt me të dhe se është bërë vetëizolim i të afërmve të tij.

Bëhet fjalë për një person që ka pasur kontakte të shumta edhe me persona të tjerë. Edhe në datën 8 mars në ambientet e lokalit të tij është organizuar një festë. Tashmë ai ndodhet Spitalin e Infektivit.

33-vjeçari është menaxher i një lokali nate në qytet. Sipas raportimeve, ai e bëri analizën fillimisht, por rezultoi negative. Më pas gjendja e tij u përkeqësua dhe nga një analizë e dytë u konfirmua se ishte i prekur nga COVID-19.