TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti Bylykbashi komentoi edhe situatën politike për çështjet e protestës së opozitës më 10 shkurt, reformat Territoriale dhe Zgjedhore, ku vuri në pah mungesën e dialogut nga mazhoranca, duke marrë si shembull sjelljen e PS në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, ku PD nuk e dha dakordësinë.
Ai tha se ky sistem zgjedhor duhet të zhduket, duke denoncuar mënyrën se si funksionon shteti sot, që nuk mund të trajtohet e shkëputur nga realiteti politik në vend. “Situata që përcakton reformën zgjedhore dhe territoriale varet nga zhvillimet në funksionimin e shtetit. Nuk mund të flasim për reforma të izoluara nga ajo që po ndodh sot në Shqipëri,” u shpreh deputeti i PD-së.
Ai kritikoi mungesën e dialogut me mazhorancën, duke theksuar se nuk ka pasur komunikim real mes palëve. Sipas tij, procesi i përzgjedhjes së Avokatit të Popullit është një shembull i qartë i mënyrës se si mazhoranca vepron pa konsensus.
“Një konsensus me dyer të mbyllura mund të jetë i mirë, por edhe i keq. Dialog real nuk ka pasur. Mënyra si u përzgjodh Avokati i Popullit e tregoi këtë. PD i kishte anuluar firmat, por Rama i përdori ato dhe bëri dredhi në një proces politik shumë të rëndësishëm,” tha Bylykbashi. Për Reformën Zgjedhore, ai theksoi se është i domosdoshëm zbatimi i rregullave, që shteti të mos kapej, pasi raporti është prishur. “Është shkatërruar raporti i partisë në pushtet me shtetin dhe me këtë vdes çdo proces zgjedhor. Ky është edhe shqetësimi kryesor i ODIHR. Na duhen rregulla të reja,” theksoi ai.
Në fund, deputeti i PD-së u shpreh se sistemi aktual zgjedhor duhet të ndryshojë rrënjësisht, duke shtuar se partitë opozitare përfitojnë nga ky sistem, ndërsa humbja politike bie mbi kryeministrin Edi Rama.
“Ky sistem duhet të zhduket. Opozita përfiton, Rama humb, por dikush duhet të humbasë. Kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka ndërtimi i një procesi të drejtë zgjedhor,” përfundoi Bylykbashi. Ai foli edhe për strategjinë e opozitës në lidhje me protestën e 10 shkurtit para Kryeministrisë, në Tiranë, ku nënvizoi se po punohej për një pjesëmarrje sa më masive, teksa synimi i vetëm mbeten zgjedhjet e reja e të lira, dorëheqja e qeverisë, si dhe një qeveri teknike.