AKTUALITET, 24 Prill 2025, 12:23

Zgjedhjet e 11 majit/ “Paqja fiskale”, Rama takim me biznesin në Elbasan: Për opozitën ju nuk ekzistoni, ka vetëm oligarkë që marrin paratë

Zgjedhjet e 11 majit/ “Paqja fiskale”, Rama takim me biznesin

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Elbasan ku po mban takime me biznesin me temë “Paqja fiskale”.

“Jetojmë në një realitet ku kemi jetën e përditshme të të gjithëve, nga ana tjetër kemi një jetë virtuale me pasqyrat e të gjithëve ku nuk ka vend për suksesin tuaj.

Njoh një pjesë të mirë tuajën dhe e di shumë mire se sa shumë keni ecur e se çfarë premisash të reja ka ekonomia falë jush.

Por në ato pasqyra nuk ka vend për ju sepse ju përfaqësoheni atje nga legjenda oligarkësh, 2-3 apo 5, të tjerët nuk ekzistojnë. Sipas tyre 5 janë ata që marrin lekët, ndërsa në vend nuk ka bukë e ujë dhe jemi në buzë të ferrit.

Unë besoj shumë që sikur jo të kishte hapësirë të plotë, por një pjesë e hapësirës virtuale t’i jepej suksesit e shembujve frymëzues, me siguri do të kishim shumë më tepër ekonomi”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama, teksa prezantonte planin e paqes fiskale, është shprehur se tatimfitimi i caktuar 15% ndaj kompanive nuk do të preket nga ana e qeverisë.

Rama u shpreh se ka një hapësirë ende të pashkelur për të rritur të ardhurat për shtetin, duke shtuar se në aspektin e administrimit “e dimë që do të kemi të meta dhe boshllëqe që janë tonat”.

Por theksoi Rama, nuk synon rritjen e të ardhurave duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen, pasi sipas tij do të shkaktonin më shumë dëm.

Edi Rama: Tatim fitimin e kemi vendosur 15% që atëherë dhe nuk e lëvizim, as nuk do ta rrisim dhe as nuk do ta prekim. Do të jetë 15%.

Në aspektin e administrimit e dimë që do të kemi të meta dhe boshllëqe që janë tonat, e dimë që kemi një hapësirë ende të pashkelur për të rritur të ardhurat për shtetin.

Ne nuk duam të synojmë rritjen e të ardhurave duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen, dhe dukë bërë më shumë dëm se sa mirë.