AKTUALITET, 9 Nëntor 2025, 09:56

Zgjedhje në 5 bashki, mbi 334 mijë qytetarë sot do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj

Zgjedhje në 5 bashki, mbi 334 mijë qytetarë sot do të

Pesë bashki të vendit zgjedhin sot kryebashkiakët e rinj. Janë 334.539 mijë votues në bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë që pritet të votojnë sot, teksa qendrat e votimit sipas orarit zyrtar tashmë duhet të janë hapur.

Referuar përcaktimit në kodin zgjedhor, kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore. Kutitë e votimit janë shpërndarë përgjatë së shtunës në KZAZ-të e ngritura në bashkitë e vendit.

Në Vlorë numri i qytetarëve do të votojnë në 232 qendra votimi janë 171.895. Në Tepelenë votojnë 12 mijë e 667 qytetarë në 22 qendra votimi.

Në Mat janë 29 mijë e 92 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa qendrat ku do të votojnë janë 47. Në Cërrik ka 57 qendra votimi, dhe numri i zgjedhësve është 38 mijë e 724.

Në bashkinë e pestë ku ka zgjedhje Berati të drejtën e votës e kanë 82 mijë e 161 zgjedhës, të cilët do të votojnë në 116 qendra votimi.

Në garën për zëvendësimin e 5 kryebashkiakëve të zgjedhur deputetë, apo ministër si në rastin e Andis Sallës së Cërrikut janë 13 kandidatë.

Fushata e këtyre zgjedhjeve të pjesshme kaloi pa shumë zhurmë dhe as protagonizëm. Nuk pati mitingje dhe as takime elektorale ku të pranishëm të ishin liderët e partive kryesore.

Ndryshe nga herë të tjera Partia Demokratike nuk kishte kandidatë të regjistruar nën siglën e saj apo ndonjë partie tjetër opozitare, ndonëse de fakto kanë shprehur mbështetjen për disa kandidatë të pavarur në këtë garë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e fundit sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet për pesë kryebashkiakët e Matit, Tepelenës, Vlorës, Beratit dhe Cërrikut.

Pjesëmarrja deri në orën 09:00 ishte:

Vlorë -1.33 %, pra 1.238 votues
Votues të regjistruar – 171.895

Berat – 2.35%, pra 1.119 votues
Votues të regjistruar – 82.161 votues

Cërrik – 2.9%, pra 578
Votues të regjistruar – 38. 724 votues

Mat – 6.2%, pra 1.187
Votues të regjistruar – 29. 092 votues

Tepelenë – 4.4%, pra 321
Votues të regjistruar – 12.667 votues