AKTUALITET, 8 Nëntor 2025, 13:51

Misteri në Viotia/ Trupi i karbonizuar në makinën me targa të falsifikuara, dyshohet për një punëtor ndërtimi shqiptar 

Misteri në Viotia/ Trupi i karbonizuar në makinën me targa

Identiteti i personit që u gjet i karbonizuar brenda një automjeti të djegur, pasditen e së premtes në zonën Skourta të Viotias, mbetet ende i panjohur. Automjeti ishte lënë në një zonë jashtëzakonisht të izoluar, e aksesueshme vetëm përmes një rruge rurale në gjendje të keqe.

Sipas burimeve policore, një shtetas shqiptar me profesion punëtor ndërtimi është raportuar i zhdukur në zonë, edhe pse më herët mungonte çdo njoftim zyrtar për zhdukjen e tij. Siç raporton Protothema.gr, shqiptari ishte larguar nga Vilia dhe kishte udhëtuar drejt Skourtas me automjetin e tij, i cili më pas u gjet i braktisur në fshat.

Autoritetet greke pritet të marrin ADN nga të afërmit e tij dhe nga trupi i dekompozuar për të verifikuar nëse viktima është i njëjti person.

Hetimet zbuluan se automjeti me brenda trupin e karbonizuar ishte vjedhur më herët në zonën e Glyfadës dhe mbante targa të falsifikuara. Sipas mediave greke, trupi ndodhej në sediljen e pasme të makinës dhe viktima kishte duart e prangosura.

Rrethanat e ngjarjes – përzgjedhja e vendit të izoluar, prangosja e viktimës dhe djegia e automjetit – forcojnë dyshimet se bëhet fjalë për një ekzekutim të mirëorganizuar kriminal, ndërsa hetimet po vijojnë me prioritet maksimal.