AKTUALITET, 8 Nëntor 2025, 17:05

OBSH: Të rinjtë shqiptarë përballen me sfida! Bullizmi online me pasoja në shëndetin mendor

OBSH: Të rinjtë shqiptarë përballen me sfida! Bullizmi

Fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri përballen me një sërë sfidash që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Të dhënat më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se bullizmi online, dhuna dhe problemet e shëndetit mendor janë përhapur në mënyrë shqetësuese edhe në vendin tonë. Gati gjysma e vajzave adoleshente dhe 1/3 e djemve të moshës 11-15 vjeç kanë shfaqur ankesa që lidhen me shëndetin mendor. Sipas OBSH-së, 47% e vajzave dhe 31% e djemve të kësaj grupmoshe raportojnë të paktën një herë në javë shqetësime si dhimbje koke, nervozizëm apo ndjesi mërzitjeje.

“12% e fëmijëve dhe adoleshentëve të grupmoshës 11-15 vjeç në Shqipëri kanë përjetuar të paktën një herë bullizëm online. Ky fenomen shqetësues, i përhapur me shpejtësi vitet e fundit, përfshin kërcënime dhe fyerje në internet, që sipas ekspertëve sjellin pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin mendor dhe performancën në shkollë.”, thonë të dhënat.

Raporti për Shqipërinë, i përgatitur në kuadër të Strategjisë së OBSH-së për Shëndetin dhe Mirëqenien e Fëmijëve dhe Adoleshentëve 2026-2030, evidenton se dhuna vijon të mbetet fenomen shqetësues.

Gati gjysma e fëmijëve nuk ndihen të mbrojtur në shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave nga OBSH, 48% e grupmoshës 1-14 vjeç kanë përjetuar forma dhune fizike apo psikologjike nga kujdestarët. Ky nivel i lartë i dhunës ndikon negativisht në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve.

Sipas raportit, shqetësuese janë edhe veset si konsumimi i duhanit dhe alkoolit që në moshë të vogël. Rreth 18% e adoleshentëve 13-15 vjeç përdorin cigaret elektronike dhe VAPE, 15% pinë duhan, ndërsa 19% konsumojnë alkool.

Këta tregues nënvizojnë nevojën për më shumë politika, forcim të edukimit prindëror, rritjen e sigurisë online, si dhe përforcimin e mbrojtjes ligjore ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.