AKTUALITET, 3 Gusht 2023, 17:29

Zbardhet takimi i Ballës me drejtuesit e Policisë në Berat, porositë dhe urdhrat e ministrit për vartësit

Zbardhet takimi i Ballës me drejtuesit e Policisë në Berat,

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vijon turin e takimeve në DVP Berat, pas policisë takim edhe me kryebashkiakun e qytetit. Balla nuk ka dhënë asnjë deklaratë për mediat, burime nga DVP Berat zbulojnë detaje nga takimi. Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka mbërritur sot rreth orës 14:00 në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat. I shoqëruar nga eskorta e tij, Balla ka zbritur nga makina dhe ka zhvillua një takim me strukturat drejtuese të DVP Berat, takim që ka zgjatur më shumë se 1 orë.

Mësohet se Balla ka qenë i ashpër në deklaratat e dhëna, ndërsa iu ka kërkuar strukturave drejtuese të DVP Berat që të intensifikojnë punën e tyre për goditjen e grupeve kriminale dhe pastrimin e zonave të thella malore nga kultivimi i lëndëve.

Po ashtu Balla iu ka tërhequr vëmendjen vartësve të tij që të vëzhgojnë edhe ndërtimet pa leje, sidomos në qendrat urbane dhe zonat turistike. Duke qenë se Berati është një qytet turistik dhe mjaft i vizituar nga vendas e të huaj, Ministri Balla u ka kërkuar gjithashtu strukturave drejtuese të DVP Berat të marrin të gjitha masat që i takojnë policisë, për mbarëvajtjen e sezonit turistik në të gjithë qarkun. Pas daljes nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, Balla u largua drejt bashkisë së qytetit ku zhvilloi një takim me kryebashkiakun Ervin Demo dhe më pas u largua nga Berati.