AKTUALITET, 27 Maj 2024, 20:25

Zbardhet rezoluta antikorrupsion e PS me 8 pika: Vendi ka nevojë për një cikël të ri reformimi

Zbardhet rezoluta antikorrupsion e PS  me 8 pika: Vendi ka nevojë për

Kuvendi miratoi sot me 76 vota rezolutën e PS për antikorrupsionin dhe mirëqeverisjen. Po çfarë përban kjo rezolutë? Në dokumentin me 8 pika theksi vihet të nevoja për të nxitur një frymë dialogu konstruktiv politik, ndërsa thuhet se ka vendi ka nevojë për një cikël të ri reformimi.

Projekt rezoluta është e bazuar në Rekomandimet e Raportit të BE për Shqipërinë 2023, Raportin Screening të Komisionit Europian si dhe në Deklaratat/ Rezolutat e Samitit për demokraci të SHBA.

Në prjekt rezoluta thuhet se Kuvendi angazhohet të nxisë frymën e dialogut konstruktiv politik dhe institucional brenda kuadrit kushtetues e ligjor, ndërmjet tre pushteteve të pavarura si edhe të gjithë aktorëve institucionalë e faktorëve politik e shoqërorë në vend.

“Të sigurojë në mënyrë transparente, në dispozicion të këtij procesi ekspertizën më të mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA) dhe përmes rregullave, procedurave e mekanizmave parlamentare të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë”, thuhet nder te tjera ne projekt rezoluten.

Projekt REZOLUTË

PËR THELLIMIN E REFORMAVE PËR MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EVROPIAN

Në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit (neneve 1, 2, 3, 6, 7, 75.2, 77.1, 78 dhe 80 të saj) si dhe të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (neneve 24, 36, 68, 98, 102, 105, 106.1 të saj),

Bazuar në Rekomandimet e Raportit të BE për Shqipërinë 2023, Raportin Screening të Komisionit Europian si dhe në Deklaratat/ Rezolutat e Samitit për demokraci të SHBA;

Të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë, si shprehje përbashkuese e vullnetit të mbarë zgjedhësve pa dallime partiake dhe të të gjithë shqiptarëve kudo janë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian; në zbatim të parimteve dhe detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e Republikës sonë; me bindjen e plotë në mundësitë e politikës dhe shoqërisë për t’iu përgjigjur domosdoshmërisë së një qasjeje kombëtare gjithëpërfshirëse në adresimin e sfidave të kësaj faze vendimtare për modernizimin e mëtejshëm të shtetit.