TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata Kushtetuese po shqyrton dy kërkesa të Grupit Parlamentar të PD-së lidhur me mandatin e ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka.
Kushtetuesja ka vendosur që brenda të njëjtës ditë do të trajtohen dy padi, në të dyja palë e paditur Kuvendi dhe Xhaçka.
Opozita ka argumentuar në kërkesën për Gjykatën Kushtetuese se mandati i deputetes së Partisë Socialiste Olta Xhaçka është i pavlefshëm për shkak se bashkëshorti i saj ka përfituar pasuri publike me shpalljen si investitor strategjik nga Komiteti i drejtuar prej kryeministrit Rama. Kompania që do të ndërtojë një resort luksoz në bregdetin e jugut, ka marrë nga qeveria në përdorim për 30 vjet një plazh në Dhërmi.
Duke iu referuar ligjit për konfliktin e interesit, deputetët demokratë sjellin si argument se përfitimet nga pasuria publike e bashkëshortit të ministres janë njësoj sikur të ishin të regjistruara në emër të vetë ministres. Prandaj, sipas tyre, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për heqjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Ministrja i ka rrëzuar më herët këto akuza dhe është shprehur se nuk ka asgjë të paligjshme në vendimet e qeverisë. Partia Socialiste ka rrëzuar dy herë kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike, që do të përfshinte edhe hetimin e përfitimit të pasurisë publike nga bashkëshorti dhe familjarë të tjerë të Xhaçkës.
Juristi Ylli Manjani e shikon si të tepërt dhe jo të nevojshëm, shqyrtimin nga ana e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Manjani u shpreh për "Euronews" se në lidhje me këtë rast, ku pretendohej se bashkëshorti i Xhaçkës, Artan Gaçi, ka përfituar pasuri publike duhet të kishte një gjykim administrativ apo penal. Sipas tij, neni 70 i Kushtetutës, ndalon deputetët që të kryejnë veprimtari fitimprurëse dhe të kenë përfitime nga pasuri publike, por nuk citohet për familjarë apo të afërm.
“Unë nuk e di se çfarë ka kërkesa, realisht nuk e njoh si çështje, sepse që të jap një mendim të plotë duhet të di se çfarë ka përmbajtja. Kazusi publik është ky: pretendohet që burri i zonjës Xhaçka ka marrë një status të investitorit strategjik në jug dhe pretendohet që ka marrë dhe pronë publike me këtë rast, për ta përdorur.
Për këtë arsye, Partia Demokratike instiston që zonja Xhaçka duhet të dorëzojë mandatin me arsyetimin që sipas Kushtetutës, deputetët, nenit 70 të Kushtetutës, nuk mund të kryejnë veprimtari fitimprurëse dhe të kenë përfitime nga pasuri publike. Ky është rasti.
Nëse ky është rasti dhe nuk ka asgjë tjetër, në vlerësimin tim, nuk ka vend për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta e ka lidhur qartë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, që deputeti personalisht, nuk mund të përfitojë pasuri publike dhe të ketë biznes, jo të afërmit dhe familjarët e deputetit. Neni 70 është shumë i qartë në këtë pjesë, referenca se kur shkohet në Gjykatën Kushtetuese është shumë e qartë.
Pra, gjykimi kushtetues në këtë rast është i tepërt. Po të ishte ky rasti dhe me kaq fakte, unë nuk mendoj që Gjykata Kushtetuese duhet të investohej sot për të gjykuar këtë çështje. Me kaq fakte, mund të ishte një gjykim administrativ apo penal. Mund të gjykohej pafundësisht nëse është apo jo në konflikt interesi zonja Xhaçka, prapë nuk do ishte një gjykim kushtetues”, theksoi ai.