AKTUALITET, 15 Mars 2022, 15:56

Xhaçka takon Borrell: Siguria evropiane në krizë, të mbahet sa më shpejt Konferenca e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë

Xhaçka takon Borrell: Siguria evropiane në krizë, të

Ministrja për Europën dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, priti sot Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, njëkohësisht Zëvendëspresident i Komisionit Evropian, Josep Borrell.

Në fokus të takimit ishte kriza e shkaktuar nga sulmi ushtarak rus në Ukrainë dhe përballja e pasojave të saj të gjithanshme, përfshirë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Xhaçka theksoi se në përballje me këtë krizë të madhe të sigurisë evropiane, Ballkani Perëndimor nuk duhet të lihet jashtë fokusit të Bashkimit Evropian.

Sipas saj, procesi i integrimit evropian të vendeve të rajonit duhet të përshpejtohet, fillimisht me mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt.

Nga ana tjetër, Përfaqësuesi i Lartë vlerësoi aksionin diplomatik të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, linjëzimin e plotë me qëndrimet e BE-së për masat kufizuese.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se angazhimi i BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet të demonstrohet me rrugë e mënyra, të cilat do ta bëjnë rajonin pjesë të zgjidhjeve të qëndrueshme.