AKTUALITET, 30 Maj 2023, 14:18

Gjykata e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e pronarit të lokalit, Apeli ndryshoi vendimin! Ja me sa vite u dënua Sofokli Shani

Gjykata e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Lushnjës për Sofoli Shanin, duke ulur dënimin nga burgim i përjashtëm në 33 vite burg.

Njoftimi i Gjykatës:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 02.06.2021 rreth orës 20:30, salla operative e Komisariatit të Policisë Lushnje është njoftuar së në fshatin “Fier i Ri, Njësia Administrative Krutje, ka pasur të shtëna me armë zjarri,

si pasojë e një konflikti momental me pronarin e lokalit, shtetasi me iniciale S.Sh ka qëlluar me armë zjarri ku ka mbetur i vrarë në vend  shtetasi me iniciale R.Q (pronari i lokalit) si dhe ka mbetur i plagosur djali i tij shtetasi me iniciale K.Q

Në  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnje , është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale S.Sh, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje në Rrethana të tjera cilësuese” si dhe “ Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79/dh dhe 278/1/3 të  Kodit Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje me vendimin nr. 399 (2380), datë 16.12.2022 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Sh, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të  përjetshëm.

2.Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodi Penal dhe dënimin me 6 (gjashtë) vjet burgim.

3. Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/3 të Kodi Penal dhe dënimin me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri S.Sh dënohet me burgim të përjetshëm.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të  bërë nga i pandehuri me iniciale S.Sh, i cili kërkoi:

· Ndryshimin e vendimit në raport me kualifikimin e veprës penale, duke kryer cilësimin juridik në atë të parashikuar në nenet 76, 278 dhe 91 të K.Penal..

·  Revokimin e vendimit për mospranimin e gjykimit të shkurtuar duke aplikuar nenin 403 të K.Pr.Penale, duke zbritur një të tretën e masës së dënimit, në bazë të dënimit që do të caktohet nga gjykata.

Në përfundim të gjykimit, më datë 30.05.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Valbon Çekrezi dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 399/2380, datë 16.12.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje përsa i përket:

-Deklarimit fajtor të të pandehurit S.Sh për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni  79/dh i Kodit Penal.

-Deklarimit fajtor të të pandehurit S.Sh dhe masës së dënimit të dhënë për veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 te Kodit Penal;

-Deklarimit fajtor të të pandehurit S.Sh për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal;

-Disponimit mbi provat materiale, vuajtjes së dënimit dhe disponimet për shpenzimet proceduriale.

-Ndryshimin e vendimit penal nr. 399/2380, date 16.12.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Lushnje në pjesën tjetër si me poshtë:

-Dënimin e të pandehurit S.Sh në bazë të nenit 79/dh te Kodit Penal me 30 (tridhjete) vjet burgim.

-Në zbatim të nenit 55 te Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin përfundimisht të të pandehurit S.Sh me 33 (tridhjete e tre) vjet burgim.