TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Aleksandër Lahon, i njohur me nofkën “Rrumi”, për vrasjen e Edmir Bregut.
E njëjta masë u konfirmua edhe për vëllain e tij, Vullnet Muça, si dhe për shtetasin Vlash Brahja, të tre të dyshuar për tjetërsim të pronave në zonën e Gjirit të Lalzit.
Në seancën e së enjtes, përpara Apelit të GJKKO doli gjithashtu Enea Kume, vëllai i deputetit socialist Loer Kume. Edhe për të, gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Sipas hetimeve, Enea Kume dyshohet se ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Edmir Bregut, ngjarje e ndodhur në vitin 2021 në Durrës, në bashkëpunim me Aldo Avdylin dhe persona të tjerë.
Vrasja e Edmir Bregut (alias Ilir Kuçi), krim i ndodhur më 24 janar 2021 në Durrës, dyshohet se u porosit nga Astrit Avdylaj për hakmarrje pas një tentative për t’i eliminuar nipin e tij, Aldo Avdylaj.
Astrit Avdylaj, një figurë e njohur e botës së krimit dhe i përfolur në të kaluarën për lidhje me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako, dyshohet se ka dhënë urdhrin për ekzekutimin e Bregut.
Në zbardhjen e kësaj skeme kriminale, roli i Enea Kumes ka qenë kyç. Ai dyshohet se ka vepruar si informator i grupit, duke dhënë detaje mbi lëvizjet e Bregut dhe duke ndihmuar në përgatitjen e atentatit.
Për këtë arsye, Enea Kume, vëllai i deputeti të PS-së, Loer Kume, është arrestuar nën akuzën e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal me qëllim eliminimin fizik të kundërshtarëve.
Ndërkohë, për ekzekutimin e Bregut, autoritetet dyshojnë se rolin e vrasësit e ka marrë përsipër Ermir Dedja dhe Alfred Doka.
“Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për hakmarrje të shtetasit, Edmir Bregu më datë 21.1.2021, në qytetin e Durrësit. Veprimet e kundraligjshme të vrasjes me paramendim për hakmarrje, mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, janë kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal dhe si porositës i vrasjes për hakmarrje dyshohet të jetë shtetasi Astrit Avdylaj, në shenjë hakmarrjeje për tentativën për të vrarë nipin e tij, Elidon Avdylaj alias Aldo Avdylaj.
Gjithashtu si drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë shtetasi, Elidon Avdylaj alias Aldo Avdylaj, si ndihmës dyshohet të jetë shtetasi Enea Kume, ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë shtetasit, Ermir Dedja dhe Alfred Doka. Në lidhje me këtë fakt po hetohet për identifikimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale”, informoi SPAK.
Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK dhe strukturat e posaçme të policisë janë duke thelluar analizën mbi veprimtarinë e grupit Avdylaj dhe lidhjet e tij në atentate të tjera të mundshme.