AKTUALITET, 12 Shtator 2025, 18:29

Votimi për Niko Peleshin, kush është deputeti që ‘tradhtoi’ grupin e PD

Votimi për Niko Peleshin, kush është deputeti që

Në Parlament po votohet për propozimin e Partisë Socialiste për kryetar të Kuvendit, Niko Peleshin.

Deputetët demokratë nuk kanë shkuar fare në Komisionin e ngritur në Kuvend, për të marrë fletët e votimit, teksa më herët ata kanë thënë se do të fusnin në kuti fletët që mbanin në duar (në të cilat denoncohej korrupsioni i pretenduar i Qeverisë Rama).

Ndërkohë deputeti Tritan Shehu, ndryshe nga grupi i Partisë Demokratike shkoi dhe votoi.

Më pas Shehu e justifikoi veprimin e tij duke thënë se votoi kundër kandidaturës së Niko Peleshit për kryetar Kuvendi. Ai tha se shkoi dhe votoi pa vetëdije, thjesht si refleks.

"Votova kundër, refleksi i votimit", tha Tritan Shehu për A2 CNN.

Ndërkohë ‘Lëvizja Bashkë’ e Arlind Qorit, Shqipëria Bëhet e Lapajt dhe PSD e Tom Doshit morën pjesë në votim. Ndërsa dy deputetët e Partisë Mundësia të drejtuar nga Agron Shehaj nuk morën pjesë në votim.