AKTUALITET, 1 Qershor 2023, 23:44

Vodhi portofolin e një qytetari dhe rrahu një tjetër, përjashtohet nga policia Komandanti i Rendit në Shkodër. Pranë arrestimit

Vodhi portofolin e një qytetari dhe rrahu një tjetër,
Shkëlzen Gjonaj

"Fiks Fare" denoncoi sonte veprimet arbitrare të një inspektori policie në Shkodër, i cili i kontrollon portofolin një qytetari dhe një tjetër e rreh!

Në redaksinë e Fiksit mbërriti një informacion, i shoqëruar me video, për komandantin e Rendit në Policinë e Shkodrës, Shkëlzen Gjonaj, i cili futet në një makinë private pa mandat dhe i kontrollon portofolin. Sipas informacioneve, polici dyshohet se ka marrë nga portofoli një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, të cilat pasi u pikas nga kamerat ia ka kthyer pronarit disa orë më pas.

Për të njëjtin polic, me gradë inspektor, ka mbërritur një tjetër video në Fiks Fare, të bërë disa kohë më parë. Në këtë video, polici është në një lokal në Shkodër dhe befas godet me shkelma dhe grushte një djalë të ri. Fiksi e takoi policin, i cili thotë se nga makina ka marrë vetëm një fasoletë. Ndërkohë, për shkelmat e grushtet thotë se nuk e mban mend. “Mund ta kem bërë, por për punë” thotë ai. Më tej pohon se nëse i publikohen këto video, i rrezikohet karriera në Policinë e Shtetit.

Në redaksinë e “Fiks Fare” kanë mbërritur disa informacione për një inspektor policie në Komisariatin e Policisë së Shkodrës. Bëhet fjalë për z. Shkëlzen Gjonaj, me detyrë Komandant Rendi në këtë komisariat. Informacioni është shoqëruar me video, ku në datën 21 maj 2023, Gjonaj futet në një makinë private pa mandat dhe i kontrollon portofolin. Video është nga kamerat e sigurisë dhe është bërë në datën 21 maj 2023. Një makinë policie shkon në një lavazh në Shkodër. Në makinë ishte edhe komandanti i rendit, Shkëlzen Gjonaj, bashkë me një tjetër polic. Ngjitur me makinën e policisë që po lahej, ishte edhe një tjetër mjet privat. Inspektori Shkëlzen Gjonaj shkon në afërsi të kësaj makine dhe bën kontroll. Ai merr nga brenda makinës një send, i cili është portofol. Fillon dhe e kontrollon. Merr një send të bardhë, të cilin e hap. Brenda këtij zarfi dyshohet se ka pasur 350 mijë lekë dhe 50 euro të qytetarit. Më pas, polici e merr zarfin dhe bashkë me një fasoletë, heq kapelën. Ai bën sikur pastron kapelën dhe fut në të një send të bardhë, i cili ishte zarfi. Vazhdon pastrimin dhe më pas e vendos në kokë dhe largohet.

Për të njëjtin polic, Komandantin e Rendit në Policinë e Shkodrës, mbërrin një tjetër video, të bërë disa kohë më parë. Në video shfaqet sërish Shkëlzen Gjonaj, i cili gjuan me shkelma dhe grushte një djalë të ri. Sherri bëhet në mes të lokalit, teksa nga pamjet nuk duket si aksion policor. “Ik, ik! Larg, larg. Yyy, yyy depzes kur&ë! Jazëk, ik …” i thotë inspektori qytetarit. Inspektori i policisë, Shkëlzen Gjonaj, ka të veshur uniformën e policisë. Fillimisht, ai shan dhe ofendon një qytetar. Më pas e qëllon dy herë rresht me grusht në fytyrë. Dhuna vijon me një shkelm. Por nuk ndalet, e godet sërish me grusht kur po largohej! Qytetari largohet dhe për asnjë moment nuk e ofendon dhe e godet!

Komandanti i Rendit: E kam rrahur për hir të punës!

Pas këtyre informacioneve, gazetarët e Fiksit shkojnë në Shkodër për të takuar vetë Komandantin e Policisë. E telefonojnë dhe i thonë se janë qytetar që kanë një informacion për një ngjarje. Komandanti i thotë se është në një kontroll banese dhe u lë takim. Grupi i Fiksit shkon te vendi i takimit, në lagjen Ajasem, afër Kalasë së Shkodrës.

Fillimisht për videon e parë, atë të marrjes së portofolit nga makina, polici thotë se ka marrë një fasoletë. E mohon që të ketë marrë para’, ndërsa pohon se s’ka qenë aksion! Gazetarët e pyesin nëse kishte ose jo mandat, ndërsa ai përgjigjet se “jo, s’ishte kontroll”, ndërsa mohon të ketë marrë para’, por vetëm një letër për të fshirë kapelën. Pyetjes nëse djali i tij ka kthyer paratë, thotë se s’ka dijeni!

Gazetarët e pyesin për videon e dytë, atë të rrahjes së një djali. Thotë se nuk e mban mend dhe nuk e di nëse është apo ai! Thotë se mund t’ia kenë bërë persona me precedentë për shkak të punës. E pyesim se përse kjo sjellje, na thotë “s’e mbaj mend”. Më pas, polici i afrohet grupit të Fiksit te makina dhe u thotë se “nëse publikohen këto video, më shkatërrohet karriera”.

“Kush ma ka bërë këtë punë?!” i thotë polici gazetarëve, ndërsa merr si përgjigje se nëse tregohet burimi, atëherë s’do kishte Fiks Fare! “Tërë jetën po na shkatërroni, për hir të punës kam … Në qoftë se kam rrahur, kam rrahur njerëz për hir të punës!” ishte përgjigjja e tij, duke pranuar se e ka dhunuar atë qytetar! Pyetjes se përse e kishte qëlluar, polici përgjigjet se “s’e mbaj mend”. Gazetarët e pyesin sërish për ngjarjen para 10 ditësh, atë të kontrollit të makinës dhe portofolit. “Unë e di që ma ka bërë njëri që e kam futur në burg, e di se ma ka bërë ai” thotë ai, por kur kupton se po filmohet ndryshon qëndrim. “Asnjë gjë s’është e vërtetë, këtë ta dini!” përfundon ai.

Rrumbullaku e përjashton

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit firmosi përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Shkëlzen Gjonaj pas denoncimit në media të veprimeve arbitrare të tij.

Sot pasdite u mor vendimi për pezullimin e tij pasi në media u publikua një video ku ai filmohej duke vjedhur paratë në një automjet brenda një lavazhi. Por në mbrëmje u publikua një video tjetër ku ai rrihte një qytetar. Menjëherë pas kèsaj u mor vendimi për përjashtimin e menjëhershëm të tij nga Policia e Shtetit dhe po punohet për arrestimin e tij.

Në vijim të informacionit të dhënë nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, për pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, sqarojmë se:

Pas transmetimit të një rasti tjetër të abuzimit me detyrën nga ky punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit të punonjësit të Policisë nënkomisar Sh. Gj," thuhet në njoftimin e policisë të nxjerrë sot në orët e vona të natës. Ndërkohë AMP është duke kryer veprimet procedurale për arrestimin e tij.