AKTUALITET, 1 Qershor 2023, 22:34

Artan Hoxha: Laert Haxhiu u kap pak ditë pasi hyri në Greqi nga Shqipëria, ishte pajisur me dokumente greke

Artan Hoxha: Laert Haxhiu u kap pak ditë pasi hyri në Greqi nga
Fotomontazh: Hoxha dhe Haxhiu

Gazetari investigativ Artan Hoxha, komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit” arrestimin në Greqi të Laert Haxhiut, më 22 maj. Ai qëndronte në vendin fqinj me leje dhe dokumenta të falsifikuara, i cili kishte ndryshuar dokumentet e identifikimit, me emer Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Hoxha shprehu shqetësimin se si nuk u kap Haxhiu në Shqipëri edhe pse ishte në kërkim, dhe se kush e ka pajisur me dokumenta greke.

“Laert Haxhiu ka qenë në Shqipëri dhe është kapur pak ditë pasi ka hyrë në Greqi. Ai ka tentuar t’u ikë autoriteteve. Ka përplasur tre mjete të tjera. Janë rrëzuar akuzat e policisë greke, ka ngelur në burg vetëm Laert Haxhiu në pritje të kërkesës për ekstradimin.

Ai është kapur me dokument si qytetar grek, me origjinë nga Gjeorgjia.

Është ndjekur kryesisht për shtetasit me kombësi greke që kishin ardhur nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik që pajiseshin me dokumenta.

U bëj thirrje autoriteteve, që të zbulojnë kush kanë qenë ata që kanë pajisur me dokumenta të rregullta greke këta persona. Ata janë bosë të krimit shqiptar, në shumë vende, përfshirë Dubain.

Në momentin e kapjes kanë patur pasaporta të rregullta greke. Në rastin konkret Haxhiu është një nga pesë më të rëndësishmit të akuzuar për vrasje.

Për vite të tëra në Lushnje, ka qenë personazhi më i rëndësishëm. Ngjarja kryesore për të cilën kërkohet është masakra e Lushnjes, ku u vranë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Zoti Haxhiu, po përfaqësohet nga e njëjta studio që liroi vrasësin e ish-drejtorit të policisë Artan Cuku. Edhe në rastin konkret, do të shohim sa dashamirës janë autoritetet greke për të zbatuar ligjin dhe për ta ekstraduar, duke e vënë në dispozicion të drejtësisë shqiptare”-tha Hoxha.