AKTUALITET, 11 Korrik 2026, 13:03

Hoxha për Srebrenicën: Mohimi i gjenocidit është sulm ndaj së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave

Hoxha për Srebrenicën: Mohimi i gjenocidit është sulm ndaj

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, përcolli një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, duke nderuar kujtimin e më shumë se 8 mijë djemve dhe burrave boshnjakë të vrarë në korrik të vitit 1995.

Në mesazhin e tij, ministri Hoxha theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të angazhimit për të vërtetën e drejtësinë, duke u shprehur se mohimi i gjenocidit përbën një cenim të së vërtetës dhe dinjitetit të viktimave.

“Gjenocidi nuk është interpretim. Mohimi i tij nuk është interpretim, por shtrembërim. Është një sulm ndaj së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit të viktimave”, u shpreh Hoxha në mesazhin e tij.

Ai nënvizoi se faktet mbi gjenocidin e Srebrenicës janë vërtetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe se drejtësia, edhe pse e paplotë, ka dhënë verdiktin e saj.

“Sot, teksa lufta, urrejtja dhe vuajtjet e civilëve vazhdojnë të lënë gjurmë në botën tonë, kujtesa mbetet mburoja jonë më e fortë kundër mohimit, urrejtjes dhe përsëritjes së krimeve të tilla”, deklaroi ministri.

Hoxha theksoi gjithashtu se Shqipëria riafirmon angazhimin e saj të palëkundur për të mbrojtur të vërtetën, drejtësinë, kujtesën dhe dinjitetin njerëzor.

Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës shënohet çdo vit më 11 korrik, në nderim të viktimave të masakrës së vitit 1995, një prej krimeve më të rënda në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.