AKTUALITET, 6 Nëntor 2025, 10:21

VIDEO/ Ndarja nga jeta e liderit historik socialist Fatos Nano, Kuvendi mban një minutë heshtje

VIDEO/ Ndarja nga jeta e liderit historik socialist Fatos Nano, Kuvendi mban

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të liderit historik të Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrit Fatos Nano pak ditë më parë.

Teksa nisi seanca plenare dhe kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi hapjen e saj dhe rendin e ditës, kaloi menjëherë tek kërkesa për ligjvënësit që të mbanin heshtje një minutë për humbjen e ish-kryeministrit, që ka qenë disa herë figurë e lartë e shtetit shqiptar.

Të pranishëm edhe deputetë të opozitës, që respektuan kujtimin e ish-kryeministrit, duke mbajtur minutën e heshtjes.

Seanca plenare e ditës së sotme ka një rend te ngarkuar ku shumë çështje janë të përfshira ku parashikohet  zgjedhja e anëtarëve të komisionit rregullator të komisionit qendror të zgjedhjeve por edhe raportime të vitit 2024 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Departamentit të Administratës Publike ,Komisioni i Prokurimit Publik si dhe Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish sigurimit te Shtetit.

Gjithashtu pritet për diskutimi i projektligjit për barazinë gjinore që tashmë do të njohë dy gjini burrë e grua.  Diskutime pritet të këtë edhe për disa akte normative si “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” si edhe për disa ndryshme në ligjin ”Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”.

Një vend të veçantë do të zë edhe akti normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2025, teksa diskutime janë parashikuar edhe në projektligjin për miratimin e buxhetit fiskal të vitit 2024.

Edhe miratimi i raportit të Komisionit te Çështjeve Ligjore dhe Administratën Publike për mos ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit, Bajram Begaj, është një nga pikat e rendit të ditës, së bashku me disa projektvendime për disa ndryshime për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të kuvendit dhe për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme.