AKTUALITET, 19 Shkurt 2026, 10:35

VIDEO/ Kuvendi nis me përplasje për “Ballukun”, Bardhi: Duam seancë urgjente. Balla: Kushtetuesja mendon 8 me 0 se nuk mund të...!

VIDEO/ Kuvendi nis me përplasje për “Ballukun”, Bardhi:

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në nisje të seancës plenare në Kuvend ka deklaruar se në Rendin e Ditës së Kuvendit duhet të ketë vetëm një çështje, futja në Rend Ditë shqyrtimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres Belinda Balluku, çka i hap rrugë arrestimit të saj.

“Kuvendi i Shqipërisë në agjendën e tij duhet të ketë vetëm një pikë që keni 2 muaj qe e mbani zvarrë, duke e kthyer këtë institucion në shkelet të ligjit. Duhet të mbahet seanca për heqjen e imunitet për Belinda Ballukun. E shtytë mbledhjen pasi të fliste Kushtetuesja. Na thatë që do presim vendimin e Kushtetueses” – tha Bardhi.

Bardhi tha se ndryshimet që ka prezantuar PS në nenin 242 të Kodit të procedurës Penale, janë antikushtetuese dhe për të mbrojtur veten nga ligji.

“Duhet të jetë vetëm 1 pikë që ju keni 2 muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar. Futja me urgjencë në rend dite e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e justifikuat shtyrjen me kohën që kërkoi avokati mbrojtës. Na thatë, pasi skadoi 3 javët e kërkuara, që do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për 2 muaj i mbushët kokën shqiptarëve që një zv.kryeministre nuk mund të pezullohet se gëzon imunitetin e deputetes. Morëm përgjigje nga Gjykata Kushtetuese se pezullimi nga detyra nuk hyn në çështjen e imunitetit. Pas Gjykatës Kushtetuese nxorët një tjetër justifikim: do të presim të zbardhet vendimi. Jeni bërë pengesë për hetimin.

Nuk duhet të bëhemi hipokritë kur ky Kuvend ka dështuar të përmbushë funksionin kushtetues në interes të qytetarëve. Deri në atë moment, ky Kuvend nuk mund të funksionojë normalisht, as sikur kjo çështje nuk është këtu. Jemi i vetmi vend në botë që miratoni ligj për të mbrojtur veten. Kreu i Komisionit të Jashtëm të PE e quajti test kritik për luftën kundër korrupsionit. Ose do ta luftojmë korrupsionin, ose do ta ktheni në bunker për të mbrojtur korrupsionin. Lejoni që ky Kuvend të përmbushë në kohë misionin kushtetues”, tha Bardhi.

Ndërkohë Taulant Balla u shpreh se vendimi i GJK duhet parë me kujdes. Sipas tij pavarësisht votimit 4 me 4, në thelb Kushtetuesja mendon 8 me 0 se nuk mund të ndërhyhet në kompetencat e Kryeministrit.

“Kush je ti që na thua është antikushtetues ndryshimi i ligjit? Ne as ta marrim dorën ty fare për nismat tona” – i tha Balla Bardhit.

Balla i tha se Këshilli i Mandateve do të mblidhet të hënën më 23 shkurt, ndërsa shtoi se GJKKO ndërhyri në kompetencat e Kryeministrit.

“Në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka kërkesë për heqje imuniteti, se as deputetët dhe as ministrat nuk kanë imunitet. Ka kërkesë për dhënie autorizimi për masë sigurie. Sa i përket kërkesës për dhënie autorizmi, si anëtar i atij këshilli, jeni njoftuar në datën 23 ora 10:00 për të vijuar me mbledhjen.

Të gënjesh është edhe profesion dhe ju e ushtroni në mënyrë shembullore. Thatë që ka vendim të Kushtetueses 8 me 0, se unë di dhe publiku di, ja ku i kemi dhe gazetarët aty lart që nuk ka një vendim. Sa i përket 8 me 0, po ka një vendim në leximin pa jurisprudencë vendim 8 me 0, ka 4 anëtarë që thonë që GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit, parlamentit dhe presidentit, por nuk kanë rënë dakord për mënyrën se si zgjidhet. 4 thonë të zgjidhë Kuvendi, 4 thonë ta zgjidhë Gjykata”, tha Balla.

Kuvendi i Shqipërisë mban sot seancën e tij të radhës plenare, ku ndër temat kryesore është interpelanca me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Kjo interpelancë është kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri dhe ka në fokus projektin e Parkut Virtual Teknologjik “Durana”, ku kërkojnë informacion mbi përfitimet dhe impaktin e tij në zhvillimin e sektorëve të teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe shqyrtimi i projektligjit “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon rregullimin dhe përmirësimin e shërbimeve diplomatike të vendit. Po ashtu, do të diskutohet një projektligj për ndryshime në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, me qëllim forcimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Një tjetër projektligj që do të shqyrtohet është ai për ndryshime në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, që ka për objektiv optimizimin e sistemit të akcizave, si dhe një shtesë në ligjin “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë”, për të mbështetur zhvillimin e institucioneve arsimore dhe kërkimin shkencor.

Gjithashtu, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për një shtesë në ligjin “Për tatimin e vlerës së shtuar”, si dhe projektligjin “Për statusin e minatorit”, që ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe mbrojtjen e të drejtave të minatorëve. Po ashtu, një projektligj tjetër i rëndësishëm është ai për “domosdoshmërinë e kryerjes së analizave laboratorike për ndotësit ushqimorë”, i cili synon forcimin e kontrollit dhe sigurisë ushqimore.

Në agjendën e seancës është gjithashtu projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, që synon përmirësimin e administratës shtetërore dhe ofrimin e shërbimeve publike më efikase. Po ashtu, do të shqyrtohen disa projektvendime për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Seanca do të mbyllet me shqyrtimin e projektvendimit “Për miratimin e planit vjetor 2026 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022–2026”, që do të përcaktojë drejtimet dhe prioritetet për zhvillimin e statistikave kombëtare në vitin 2026.