TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti sot në një takim në selinë e PD-së, eurodeputetin Michael Gahler, koordinator i grupit parlamentar të Partisë Popullore në Parlamentin Europian.
Gjatë takimit, Berisha shprehu shqetësimet e opozitës për dy çështjet e hetuara nga SPAK, atë lidhur me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI-n.
Berisha u shpreh se “ka përpjekje nga Edi Rama për të ndërhyrë në legjislacion, me qëllim krijimin e një mburoje për korrupsionin e tij dhe të ministrave”.
Sipas tij, “amendamentet ligjore që synon Rama dëmtojnë, jo vetëm luftën e drejtësisë kundër korrupsionit, por edhe procesin e integrimit europian”.
Kryetari i PD-së theksoi se opozita e mbështet pa kushte procesin e integrimit në BE, por kërkon që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, i bazuar në meritë, dhe të mos përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria.
Berisha dhe Gahler u ndalën edhe te zgjedhjet e fundit në Shqipëri, dhe kryetari i Partisë Demokratike u shpreh i kënaqur me faktin se një mision vëzhgues u dërgua nga Parlamenti Europian.
“Eurodeputeti ishte pjesë e tij dhe mundi të shihte vetë ato shkelje të rënda që thekson raporti i OSBE, por edhe 7 rezoluta ndërkombëtare, që i kanë dënuar hapur zgjedhjet e manipuluara shqiptare”, tha Berisha.