AKTUALITET, 1 Korrik 2025, 09:15

VIDEO/ Debati në distancë për shqiptarët në burg në Britani, Farage pranon ftesën e Ramës: Do të vij në Shqipëri, diskutojmë kthimin e të burgosurve

VIDEO/ Debati në distancë për shqiptarët në burg

Pas debatit që zhvilluan në distancë për akuzat se në Britani një në 50 shqiptar ndodhet në burg, deputeti britanik Nigel Farage ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë.

Krahas një videoje që ka ndarë në rrjete sociale, teksa i qëndron me ‘kokëfortësi’ akuzave të tij, Farage bën me dije se do të diskutojnë kthimin e të burgosurve, duke “këmbëngulur” se ka fituar “bastin” dhe se Rama do të duhet që të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit, ashtu sikurse edhe deklaroi disa ditë më parë.

“E pranoj ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë si i ftuar nderi. Do të diskutojmë kthimin e të burgosurve shqiptarë.”, ka shkruar Farage krahas videos, në të cilën rithekson komentet e tij të ditëve të fundit.

“Një në 50 shqiptarë në Britani është në burg. Dhe unë fola për këtë para pak ditësh në GB News. Edi Rama, ky gjigand njeri që është Kryeministër i Shqipërisë, ka reaguar dhe ka thënë se "po flas broçkulla", se shifrat e mia janë të gjitha të gabuara. Ai gjithashtu tha: "Si guxon Britania të mendojë për të dërguar njerëz jashtë vendit që u është refuzuar kërkesa për azil".

Po vetë ai është duke bërë një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga azilkërkuesit e tyre të dështuar. Çfarë hipokrizie nga ky Kryeministër pro-Bashkimit Europian dhe anti-Brexit. Epo, po të them një gjë, Edi: nëse je burrë i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tanë shqiptarë?

Ai tha që nëse shifrat e mia janë të sakta, do të marrë çdo shqiptar në burg dhe do ta kthejë në Shqipëri. Ne i kemi kontrolluar dhe ri-kontrolluar shifrat tona. Jemi në rregull. Por Edi thotë, jo, keni gabim, sepse ka mijëra emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britani. Epo, kjo do të thotë që numri i kriminelëve nuk është një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di. Gjithsesi, debati vazhdon me Kryeministrin shqiptar.", thotë Farage, teksa shton se ka pranuar ftesën. 
Përplasja në distancë nisi pas reagimit të ashpër të Farage lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama për The Guardian se plani i Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit jashtë vendit tregon se Britania post-Brexit ndodhet në “një vend shumë të errët”.

Farage u kundërpërgjigj përmes një interviste në GB News, ku tha se në Britaninë e Madhe shqiptarët janë aktorë kryesorë në kriminalitet, duke pretenduar se 1 në 50 shqiptarë janë në burg. Kreu i qeverisë shqiptare e sfidoi për një përballje shifrash reale, ndërsa u zotua se nëse pretendimi i tij rezulton i vërtetë, atëherë ai do t'i marrë të gjithë në Shqipëri. I bindur se shifra e Farage nuk qëndron, Rama tha se nuk pret të marrë nga ai ndjesë, por e ftoi që të vinte në Shqipëri të njihte në të vërtetë popullin shqiptar.

Pasi Farage reagoi duke thënë se në fakt ishin në burg një në 48 shqiptarë, Rama e kundërshtoi sërish, duke thënë se një në çdo 100 shqiptarë janë të arrestuar, për shkak se numri i shqiptarëve në Angli është 140 mijë dhe jo 53 mijë, siç pretendoi Farage.

VIDEO/ Debati në distancë për shqiptarët në burg