TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gazetari Arben Manaj, ka folur në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, për debatin në distancë mes kryeministrit Rama dhe politikanit britanik, Nigel Farage, lidhur me kriminalitetin e shqiptarëve në Britaninë e Madhe dhe numrin e lartë të të burgosurve shqiptarë.
Manaj tha se Rama ka të drejtë për shifrat, pasi numri i shqiptarëve që jetojnë në Britani është më i lartë se ai që pretendon Farage, ndaj shifra e tij "1 në 50 shqiptarë janë të burgosur" nuk reflekton realitetin, megjithatë ai shtoi se kriminaliteti i shqiptarëve në Britani është në rritje dhe ata kryesisht merren me tregtinë e kokainës dhe kanabisit.
Manaj deklaroi se debati që ka rihapur Rama për kriminalitetin shqiptar, nuk e ndihmon aspak komunitetin në Britani, pasi ai reflektohet në shtyp dhe sjell një shënjestrim të komunitetit shqiptar, siç ndodhi pak kohë më parë.
"Të them të drejtën, është pak shqetësuese, si shqiptar i Britanisë së Madhe, sepse është kruajtur një plagë që menduam se u mbyll. Sa i përket shifrave, mendoj se zoti Rama ka të drejtë. Mendoj se nuk është as 140 mijë por edhe dyfishi. Sa i përket komenteve të zotit Rama, më duket e panevojshme që Rama të përmendë Brexit dhe të sulmojë babain e Brexit, një njeri që ka potencial dhe akses të madh në Britani. Edhe GB News është praktikisht televizioni i tij dhe ai e përdor për të sulmuar emigrantët dhe për të ngritur këtë retorikë. Nuk jam dakord që Farage i ka keq punët me sondazhet, përkundrazi po të bëhen zgjedhjet tani ai mund të fitojë. Britanikët janë të pakënaqur me qeverine laburiste.
Që zoti Rama të futet në një polemikë të tillë, nuk është produktive për ne shqiptarët e Britanisë. Ne menduam se u mbyll një plagë me Suella Braverman. Në fakt këtë shifër fillimisht e ka përdorur Robert Jenrick, ish zv Ministër i Brendshëm, është shifër e pasaktë dhe rrit përqindjen e shqiptarëve kriminelë, por e them me bindje se numri i shqiptarëve që kryejnë krime është në rritje. Merren kryesisht me tregëtinë e kokainës dhe kanabisit. Ndër të gjithë paditë që ngrihen, 95% e tyre janë pikërisht për këto vepra penale. Shqiptarët merren me krim dhe merren me këtë lloj krimi. Shqiptarët që kanë ardhur në Britani, kanë ardhur me "PHD" që kanë bërë në Itali apo Spanjë", deklaroi ndër të tjera Manaj.