AKTUALITET, 30 Qershor 2025, 18:00

“Dhoma e fëmijëve në errësirë”, ish-futbollisti i Kombëtares denoncon: Ndërtimi ngjitur me banesën më ka bllokuar dritaret! Do ta ndjek çështjen në të gjitha institucionet

“Dhoma e fëmijëve në errësirë”,

Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare, Igli Allmuça, ka denoncuar publikisht ndërtimin e një pallati ngjitur me banesën e tij në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, i cili sipas tij ka bllokuar dritaret e shtëpisë dhe ka cënuar të drejtën e pronës.

Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, i shoqëruar me foto dhe video nga vendngjarja, Allmuça shprehet se ndërtimi i ri, i ngritur në murin anësor të banesës së tij, ka mbuluar plotësisht dy dritare, përfshirë edhe atë të dhomës së fëmijëve.

“Dhoma e fëmijëve në errësirë”,

Sipas tij, shtëpia është ndërtuar rreth vitit 1920 dhe ka kaluar brez pas brezi në familjen e tij, pa ndryshime në strukturë përveç restaurimeve të vogla pas viteve ’90. Ai thekson se prej më shumë se 8 muajsh, familja e tij është duke jetuar me stres për shkak të kësaj situate.

“Është e pabesueshme që një firmë ndërtimi të marrë leje ndërtimi kallkan, në zero metër nga banesa jonë, duke na bllokuar dritaret. Kjo nuk është vetëm cënim prone, por përdhunim i të drejtës për të jetuar me dinjitet,” shkruan Allmuça.

Ai vë në dyshim mënyrën si është dhënë leja dhe punën e inspektorëve të territorit, duke thënë se do ta ndjekë çështjen në të gjitha institucionet ligjore deri në fund. Në fund të reagimit të tij, Allmuça i drejton edhe një thirrje ndërgjegjes publike dhe autoriteteve, duke theksuar se “padrejtësia nuk fshihet me asnjë justifikim”.

POSTIMI

Dua të pasqyroj ketë situatë që po ndodh ngjitur me shtëpinë time në lagjen Ali Demi. Në këto foto që kam hedhur, një firmë ndërtimi ka marrë leje kallkan 0 metër me shtëpin time duke më bllokuar dy dritare, dy dritaret e tjera në foto janë të pronarëve të tjerë. Në një nga këto dritare është dhoma e femijëve të mi, te cilën e kam pasqyruar në video. Kjo shtëpi ëshë ndërtuar rreth vitit 1920, ku ka jetuar stërgjyshi, gjyshi, babai im dhe së fundmi unë me familjen time bashkë me prindërit. Me themelet, muret, çatinë dhe forma e dritareve të pandryshuara, thjesht pas viteve 90 kemi ndërruar çatinë e vjetër me të renë, dritaret e vjetra me të rejat, suvatimet, lyrjet.

Unë se di ku janë bazuar njerëzit kompetent (inspektorë apo drejtora) që kanë ardhur në terren për të verifikuar dhe kanë dalë në konkluzion që nuk cënohet prona e tjetrit. Kjo që shihni në foto nuk quhet cënim, por në menyrë figurative ‘përdhunim’ i pronës së tjetrit, sepse është e padrejtë që të jesh rehat në shtëpin tënde dhe një ditë të bukur vjen dikush dhe të ven betonin tek dritaret e ta bën atë dhomë si burg. Si familje kemi gati 8 muaj me stresin e kësaj gjëje. Bashk me babain tim do bëjmë të gjitha përpjekjet ligjore për të drejtën deri në fund në të gjitha institucionet shtetërore.

Së fundmi, kam dicka për këtë ndërtues apo dhe n.q.s ka ndonjë ortak apo mentor që e ndihmon dhe i jep fetva (them n.q.s se vetëm emri këtij ndërtuesi figuron në leje). Unë se di si është marrë kjo leje dhe jam i habitur ashtu si çdokush që e ka parë dhe besoj çdokush që do e shohi. Padrejtësin ndaj tjetrit nuk e lanë as haxhi e as vepër tjetër. Nqs me drejtësinë e ZOTIT kjo është e drejt, jeni shumë të nderuar dhe u lartesofshi. Nqs kjo quhet Padrejtësi, jeni shumë të ulët e Zoti ju turpëroftë e ju poshteroftë publikisht, e ju ardhtë hakut me bela pas belaje. Do jeni në Duat e familjes time nga femijët e deri te prindërit e mi.

“Dhoma e fëmijëve në errësirë”,