TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sot do të vendoset fati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e14 majit. KQZ do të vendosë se grupimi i Alibeajt apo Partia Demokratike e Berishës do të regjistrohet për të garuar përballë të tjerëve në zgjedhjet vendore.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Ledio Nuraj, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistrimin e kërkesës së tyre për zgjedhjet e 14 majit pasi sipas tij edhe pse ka një vendim të Gjykatës së Apelit ky vendim nuk është i formës së prerë pasi do rikursohet. Nuraj tha se janë ende në fuqi të gjitha vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit.
“Kemi një kërkesë nga Partia Demokratike Shqipërisë nga kryetari i saj Sali Berisha. I nderuar si kryetar ne kemi depozituar para jush kërkesën dhe bashkëlidhur kemi depozituar të gjithë dokumentacionin. Regjistrimet e fundit Të regjistrueshme aktualisht janë vendimet e Kuvendit Kombëtar të 17 korrikut 2021 dhe organet drejtuese të këtij organi, përveç kryetarit. Zgjedhja e të cilit është ankimuar nga kandidatja rivale. Pra, kryetari ka mbetur i paregjistrueshëm. Komisioni i Rithemelimit ka dorëzuar kërkesën për ndryshimet statutore sipas vendimeve të Kuvendit të PD, i mbajtur më 11 dhjetor 2021, Kuvend i cili është thirrur në bazë të statutit të Partisë Demokratike.
Në vendimin e 25 marsit 2022 Gjykata e Tiranës ka vendosur miratimin e kësaj kërkesë dhe depozitimin dhe regjistrimin e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit në regjistrin e partive politike. Vendimet të cilat unë i citoj ju i keni bashkëlidhur. Ndaj këtij vendimi është bërë ankim në Gjykatën e Apelit3.3 2023 ka vendosur rikthimin e çështjes për rigjykim, pa i hyrë çështjes në themel dhe thotë që lejohet rekurs. Në këtë kuptim vendimi i shkallës së parë është një vendim që nuk është prishur. Në funksion të regjistrimit si subjekt zgjedhor PD ka detyrimin politik, publik dhe ligjor të paraqesë kërkesën përkatëse. Kuvendi i Partisë Demokratike i 11 dhjetorit dhe vendimet e tij dhe organet e tij janë të regjistrueshme. Janë ende në fuqi dhe janë të regjistrueshme që duhet të merren parasysh nga KQZ. Vendimi i Gjykatës së Apelit në këtë rast nuk është i formës së prerë.
Askush nuk e disponon deri tani vendimin e Apelit kështu që kemi vendim të ndërmjetëm jo të formës së prerë që ezauron plotësisht në lidhje me regjistrimet në regjistrin e partive politike. Vendimi i shkallës së parë që ne disponojmë është mëse i plotësuar. Në kërkesën për regjistrim si subjekt politik është në fuqi. Basha rezulton kryetar i PD por në fakt s’është kryetar i PD se ka dhënë dorëheqjen në mënyrë publike. Kërkesa për regjistrim i PD në zgjedhje janë akte ekskluzive që i takojnë kryetarit të partisë dhe s’mund të delegohen nga askush tjetër. Ne i kemi kërkesat dhe dokumentacionin.
Përsa thashë dhe të gjithë dokumentacionin që kemi depozituar, si në këndvështrimin tonë dhe atë ligjor si dhe atë të KQZ që ka regjistruar forca politike si subjekte zgjedhore vec me vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, kërkojmë të regjistrohemi për zgjedhjet vendore 2023 dhe të mos rrezikojmë që të mos mbetet pa u regjistruar partia më e madhe opozitare. Nisur nga dokumentacioni që dispononi, kërkojmë regjistrimin e PD për zgjedhjet e 14 majit në përputhje me parashikimit e nenit 64 të Kodit Zgjedhor”, tha Nuraj.

Përfaqësuesi i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa, i bëri thirrje Celibashit që kërkesa për regjistrim e ‘Rithemelimit’ është e papranueshme pasi kanë folur gjykatat.
“Këto vendime jo vetëm nuk janë të ekzekutueshme, jo vetëm që nuk noterizohen që për gat të keq janë noterizuar. Nuk mund të sjellin asnjë efekt. Në asnjë rresht të këtij vendimi nuk shkruhet Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike, shkruhet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të cili i ka mbaruar mandati në prill të viti 2022.
Ligji kërkon vërtetim të regjistrimit të partisë në gjykatë, kryetarin dhe të dhëna të tjera. Këto janë dokumente që pranohen nga komisioneri. I nderuar komisioner unë nuk dua t’i hyj më tej këtij debati, nuk është momenti për të bërë debat publik mes demokratëve. Legjitimin këtu e përcaktojnë gjykatat që janë shprehur”, tha Sefa.
Mbetet për t'u parë vendimi i KQZ ndërsa më 3 mars, gjykata e Apelit vedosi rrëzimin e vendimit të Agron Zhurkit të datës 25 mars 2022 dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë me trupë gjykuese tjetër.
Pas këtij vendimi, ajo që vendosi Agron Zhukri konsiderohet nul dhe çështja kthehet në shkallë të parë. Tashmë vula, sigla, logoja e Partisë Demokratike i mbetet Lulzim Bashës, se zyrtarisht ai është i regjistruar në Gjykatën e Tiranës, dhe pritet që të jetë grupi i Alibeajt që të regjistrohet me logon e forcës më të madhe opozitare në vend për zgjedhjet e ardhshme të 14 majit.
Ndërkohë në rendin e ditës së sotme ishte kërkesa e regjistrimit për 7 parti dhe që në nisje të mbledhjes së KQZ u miratuan kërkesat e PS dhe Partisë së Lirisë. Ndërsa një ditë më parë u miratua për 42 të tjera.
Pas këtij regjistrimi paraprak, në 15 mars aplikohet për koalicionet dhe më pas, më 27 mars depozitohet lista e kandidatëve për kryetar bashkie dhe lista shumë-emërore e kandidatëve për këshillat bashkiak sipas përkatësisë së koalicionit apo partisë. Më pas hidhet shorti për renditjen në fletët e votimit. Në prill pritet dhe shpërndarja e fondeve vjetore, por edhe për fushatë.
Më 14 prill nis zyrtarisht fushata. 13 maji është heshtje zgjedhore dhe 14 maji dita e votimit.