AKTUALITET, 8 Mars 2023, 20:41

KLGJ dënoi sulmet ndaj gjyqtarëve, ish-ministri: Vendimi i Apelit për vulën shembi të gjithë drejtësinë

KLGJ dënoi sulmet ndaj gjyqtarëve, ish-ministri: Vendimi i Apelit

Ylli Manjani i është përgjigjur shqetësimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor në lidhje me akuzat sipas këtyre të fundit që po i bëhen gjykatës së Apelit, pas vendimit skandaloz në lidhje me vulën e PD-së. Manjani shkruan se, vendimi i Apelit për vulën, nuk rrëzoi vetëm besimin, por shembi krejt drejtësinë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e cilësoi sot si të papranueshme gjuhën e përdorur, kundrejt gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, të cilët vendosën që t’i jepnin vulën e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajt. Ndonëse nuk i ka përmendur me emër, nënkuptohet se përgjigjia ka qenë për Partinë Demokratike, e cila ka akuzuar 3 gjyqtarët si “të korruptuar e të kapur nga Rama”, dhe për KLGJ, kjo gjuhë urrejtjeje është mjaft shqetësuese. Ajo që është më e rëndë janë edhe thirrjet për vetëgjyqësi, vetëm për faktin se nuk kanë dakord me një vendim të dhënë nga një trup gjykuese.

Reagimi i Ylli Manjanit:

Jo mor jo!

Aludimet publike e dëmtokan besimin te drejtësia, ndërsa dhunimi i hapur i ligjit nga Gjykata e Apelit e cila pranon një ankim të një personi që nuk ishte palë në gjykim,e rregullon besimin te drejtësia!

Po mirë, le të themi se s’qënka e kapur drejtësia, pse e dhunojnë ligjin, kushtetutën e demokracinë në vend ata për sport?!

Apo për qejf?!

Allah, allah...

Shikoni,  në daç besojeni në daç jo, atë që ka bërë gjykata e apelit me rastin e vulës është rrëzim i gjithë drejtësisë jo thjesht i besimit tek ajo!

Është vendosje e saj nën hyqmin e pushtetit, kundër parimeve të shtetit.

Është vendosje e gjykatës kundër rendit demokratik në vend dhe qartësisht në dhunim masiv të të drejtës së gjysmës së votuesve për të votuar.

Kështu që KLGJ, le ta besojë vetë po të dojë këtë gjykatë e këtë drejtësi, se njeri tjetër s’ka shans. 

Ka kohë që Barometri dhe çdo matje tjetër tregojnë qartë se mbi 70% e shqiptarëve nuk besojnë se ka gjykatë të pavarur.

Oj, të kërkojnë edhe hesap pse kritikohet gjykata, në vend të kërkojnë ndjesë dhe të korrektojnë sjelljen e gjyqtarëve në raport me ligjin!