AKTUALITET, 16 Shtator 2025, 20:15

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, KED interviston kandidatët

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese, KED interviston kandidatët

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) zhvilloi sot intervistat dhe testimin e njohurive të gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit të kushteve ligjore dhe që vijojnë garën për pozicionin vakant në Gjykatën Kushtetuese.

Kandidatët prezantuan platformat e tyre të kandidimit, duke paraqitur qasjen e tyre mbi rolin e një gjyqtari kushtetues dhe prioritetet në ushtrimin e këtij funksioni të rëndësishëm.

Gjithashtu, ata iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED-së, të fokusuara në përvojën e tyre profesionale dhe vizionin për rolin e ardhshëm si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

KED do të vijojë të mërkurën e 17 shtatorit me procesin e pikëzimit, i cili do të kryhet në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore në fuqi.

Në garë janë 6 kandidatë 6 nga 13 kandidatët që aplikuan për pozicionin. Kandidatët janë Alban Toro, Alma Faskaj, Asim Vokshi, Florian Ballhysa, Genta Bungo dhe Naureda Llagami.

Pasi KED të bëjë renditjen e pikëve për secilin prej kandidatëve, lista do t’i përcillet Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë si organ emërtese zgjedh si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, një nga tre emrat që ka marrë më shumë pikë nga KED.

Vakanca në Gjykatën Kushtetuese u shpall nga Gjykata e Lartë pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Olta Zaçe e cila mbante edhe pozicionin e kryetares së Kushtetueses.