AKTUALITET, 19 Korrik 2023, 16:34

Ulen kreditë me probleme, vlera e përgjithshme arrin në 35.7 miliardë lekë

Ulen kreditë me probleme, vlera e përgjithshme arrin në 35.7

Kreditë e me probleme shënuan një ulje të lehtë në vitin 2022. Vlera e tyre arriti në 35,7 miliardë lekë, ose 2.4 miliardë lekë më pak se viti paraardhës. Banka e Shqipërisë bën të ditur se në fund të vitit 2022 kredia me probleme arriti nivelin 35.7 miliardë lekë, duke u ulur me 2.4 miliardë lekë, ose 6.38 % krahasuar me një vit më parë. Sipas Raportit Vjetor të Bankës Qendrore, treguesi i kredive me probleme bruto ka pësuar një rënie prej 0.7 % në terma vjetorë, duke arritur në nivelin 5% në fund të vitit 2022.

Në portofolin e kredive të rregullta, evidentohet rritje e kredive të klasifikuara “standard” me 0.62 pikë përqindje dhe kredive të klasifikuara “në ndjekje” me 0.05 pikë përqindje. Ndërkohë, në portofolin e kredive me probleme, evidentohet ulje e klasave të kredive “të dyshimta” dhe “të humbura” me 0.05 pikë përqindje dhe 0.65 pikë përqindje.

Për sa i përket cilësisë së kredisë të ndarë sipas llojit të subjektit, treguesi i kredisë me probleme për biznesin ka rënë në nivelin e 6 %, ndërkohë që për individët ky tregues shënoi nivelin 3.8 %. Nga të dhënat e raportuara nga BSH-ja, rezulton se 86 % e portofolit të kredive është e kolateralizuar.