AKTUALITET, 25 Tetor 2025, 10:45

Rama nga Berlini: Shqipëria po shënon rekord në shpejtësinë e integrimit në BE

Rama nga Berlini: Shqipëria po shënon rekord në

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Berlini se Shqipëria po përshpejton ndjeshëm procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke arritur një ritëm të paprecedent.

Rama ndodhet në kryeqytetin gjerman për të marrë pjesë në Global Dialogue (BGD), forumin ndërkombëtar të nivelit të lartë, ku foli për ecurinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

“Procesi i analizës së legjislacionit ka përfunduar brenda 11 muajve, kemi çelur 5 nga 6 grupkapitujt dhe presim të hapim të fundit deri në fund të vitit. Ky është një rekord i vërtetë për shpejtësinë e përparimit tonë,” tha kryeministri.

Ai vuri në dukje se situata ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me të kaluarën: “Europa tani po vepron, jo vetëm flet. Agresioni brutal kundër Ukrainës ka shërbyer si një sinjal alarmi, por tashmë shohim një angazhim të vërtetë nga BE-ja, jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga Këshilli dhe shtetet anëtare.”

Rama theksoi edhe rëndësinë gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor: “Në historinë e hartave, BE ka dy kufij dhe brenda këtij perimetri jemi ne – në një farë mënyre, Ballkani Perëndimor është ‘kërthiza’ e Bashkimit Europian.”

Sipas tij, bashkimi i Ballkanit me BE-në nuk është vetëm në interes të Shqipërisë, por edhe i nevojshëm për vetë Bashkimin Europian: “BE ka nevojë për ne po aq sa ne kemi nevojë për të.”