TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga rikualifikimi urban i qendrës historike të Pogradecit, duke evidentuar transformimin e zonës pas ndërhyrjeve restauruese dhe infrastrukturore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ndau pamje që tregojnë gjendjen e mëparshme të rrugës “Naim Frashëri”, ku pllakat ishin të dëmtuara dhe ambienti paraqitej i degraduar, në kontrast me pamjen aktuale pas investimit, e karakterizuar nga hapësira të sistemuara dhe elementë të restauruar të trashëgimisë urbane.
Projekti për restaurimin dhe rikualifikimin urban të qendrës historike të Pogradecit po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec dhe synon rigjallërimin e një prej zonave me vlera të veçanta historike dhe kulturore në qytet.
Ndërhyrja përfshin restaurimin e objekteve tradicionale, rivitalizimin e shesheve publike, krijimin e itinerareve tematike dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane, duke i dhënë qytetit një dimension të ri zhvillimi.
Investimi nuk synon vetëm përmirësimin e hapësirave publike, por edhe ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, zhvillimin e turizmit dhe nxitjen e ekonomisë lokale.
Projekti përfshin dy lagjet historike të Pogradecit, “Naim Frashëri” dhe “Lagjen e Burimeve”, kjo e fundit e konsideruar si bërthama e hershme e krijimit të qytetit, për shkak të pranisë së burimeve të ujit të pijshëm.
Objektivi është që zona të shndërrohet në një pol të rëndësishëm turistik, duke ruajtur njëkohësisht arkitekturën karakteristike të ndërtesave tradicionale dhe rrugicat me kalldrëm që përbëjnë identitetin historik të Pogradecit.
Deri tani janë realizuar rreth 80% e punimeve, ndërsa përfundimi i plotë i projektit pritet në tetor të vitit 2026.
Me përfundimin e investimit, pritet që qyteti të ofrojë më shumë mundësi për banorët, bizneset lokale dhe vizitorët, duke e kthyer qendrën historike në një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe turistik.