TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mazhoranca futi për prezantim sot në Konferencën e Kryetarëve për efekt të kalendarit të punimeve në Kuvend, projektbuxhetin e vitit 2026, i cili u prezantua nga ministri i Financave, Petrit Malaj, por jo pa debate.
Opozita denoncoi shkeljen e Kushtetutës dhe ligjit, pasi diskutimi po bëhej pa ardhur paketa fiskale e taksave dhe shpenzimeve, duke kërkuar shtyrjen e mbledhjes. Mazhoranca dhe kryeparlamentari Niko Peleshi thanë se kjo ishte procedurë për efekt kalendari dhe jo për miratim të buxhetit, duke kërkuar të mos humbnin kohë, sepse kishte afate.
Pas kalimit të kësaj procedure, ka ardhur edhe reagimi i deputetes së Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, që denoncoi qeverinë se buxhetin e vitit 2026 po e kalon me shkelje të Kushtetutës. Madje ajo nuk mungoi as ironizimin, duke thënë se “është mrekulli si në përralla që buxheti kalon pa ditur taksat”.
“Shpikët një buxhet pa taksa dhe po shkelni Kushtetutën. Po na thoni sa do shpenzohen, por po na fshihni se kush do i paguajë ato para. Qeveria ka shpikur buxhetin pa taksa — një mrekulli që s’e ka parë as ekonomia e përrallave. Qeveria po paraqet buxhetin pa sjellë më parë paketën fiskale — dhe kjo është shkelje e qartë e nenit 78 të Rregullores së Kuvendit dhe e Kapitullit të Financave Publike të Kushtetutës. Kushtetuta thotë qartë: nuk mund të ketë shpenzim pa burim të ligjshëm të ardhurash. Pa paketë fiskale, buxheti është dokument i rreme — është propagandë, jo politikë financiare”, shprehet ish-kryeparlamentarja demokrate mes të tjerash në rrjetin Instagram.
Ajo e cilëson shkelje të rregullores së Kuvendit, të kushtetutës dhe buxhet të rremë e propagandistik.
Reagimi i plotë i Jozefina Topallit në Instagram:
“Qeveria ka shpikur buxhetin pa taksa — një mrekulli që s’e ka parë as ekonomia e përrallave. Qeveria po paraqet buxhetin pa sjellë më parë paketën fiskale — dhe kjo është shkelje e qartë e nenit 78 të Rregullores së Kuvendit dhe e Kapitullit të Financave Publike të Kushtetutës. Kushtetuta thotë qartë: nuk mund të ketë shpenzim pa burim të ligjshëm të ardhurash. Pa paketë fiskale, buxheti është dokument i rreme — është propagandë, jo politikë financiare. Na tregojnë sa do të shpenzojnë, por e fshehin kush do t’i paguajë. Në këtë vend, buxheti vjen si dhuratë, pa faturë!
Në çdo vend demokratik, buxheti dhe paketa fiskale janë një e vetme. Kështu ka ndodhur ne Parlament për mbi 2 dekada. Nëse lejojmë këtë precedent, nesër buxheti do të bëhet pa ligj, dhe Kuvendi do të mbetet vetëm noter i qeverisë. Po ta bënte këtë një student i vitit të parë të ekonomisë, do të ngelte provimin; po ta bëjë qeveria, e quan reformë”.