TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

TikTok ka humbur një betejë të rëndësishme ligjore, që mund të rezultojë në ndalimin e plotë të platformës në Shtetet e Bashkuara.
Një gjykatë apeli në SHBA mbështeti ligjin e Joe Biden të premten, që imponon shitjen e Tik Tok, duke mohuar pretendimin se ishte antikushtetues. Gjykata vendosi se ligji nuk shkelte Amendamentin e Parë apo të Pestë.
Vendimi e çon TikTok-un një hap më pranë ndalimit në SHBA, nëse kompania kineze ByteDance nuk e shet platformën para 19 janarit 2025.
Presidenti Joe Biden firmosi një ligj në prill që kërkon që TikTok të shitet te një kompani, jo-kineze, ose të ndalohet në Shtetet e Bashkuara, për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare. Ligjvënësit kanë frikë se ByteDance mund të ndajë të dhëna të përdoruesve me qeverinë kineze për survejim ose të manipulojë algoritmin e TikTok për propagandë.
TikTok e paditi ligjin në maj, duke argumentuar se shkelte lirinë e shprehjes dhe shënjestronte në mënyrë të padrejtë platformën.
Vendimi i gjykatës të premten i dha përparësi Kongresit, duke konstatuar se ligjvënësit vepruan brenda kompetencave të tyre kushtetuese. Gjykata argumentoi se legjislacioni adreson në mënyrë të kufizuar lidhjet e TikTok-ut me Kinën dhe nuk shtyp përmbajtjen apo imponon një lloj të caktuar përmbajtjeje, raporton CNN.
Gjykatësit pranuan se përdoruesit amerikanë janë të lirë të ndajnë çdo përmbajtje, por qëllimi i aktit është të kufizojë manipulimet e fshehta nga Kina. Ata kritikuan kundërshtimet e TikTok-ut, duke theksuar se ato shpërfillin shqetësimet e sigurisë kombëtare.
Nëse TikTok nuk arrin të apelojë me sukses ose të shkëputet nga ByteDance, ndalimi i aplikacionit në SHBA mund të hyjë në fuqi një ditë para inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Edhe pse Trump më parë tentoi të ndalojë TikTok gjatë mandatit të tij të parë, ai kohët e fundit ka deklaruar se nuk dëshiron më ta ndalojë. Në qershor, në një video të postuar në platformë, Trump tha se nuk do ta ndalonte TikTok. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai mund ta ndryshojë ligjin ose të shmangë zbatimin e tij.