TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar takime me liderët e Parlamentit dhe Senatit përpara një fjalimi që do të mbajë para kombit mbrëmjen e së enjtes, ndërsa po rritet presioni që ai të emërojë me shpejtësi një kryeministër të ri në vazhdën e kolapsit historik të qeverisë franceze.
Kryeministri i djathtë, Michel Barnier, u takua me Macron për më shumë se 1 orë për t’i dorëzuar letrën e tij të dorëheqjes, një ditë pasi koalicioni i tij i pakicës u bë i pari që u rrëzua nga një votë mosbesimi në më shumë se 60 vjet dhe vetëm 3 muaj pasi mori detyrën.
Ndërsa Franca hyn në një periudhë trazirash politike, Elysee lëshoi një deklaratë për të thënë se dorëheqja e Barnier ishte pranuar. Qeveria e Barnier do të merret me çështjet aktuale të përditshme derisa të emërohet një qeveri e re, tha Elysée.
Macron hëngri drekë me François Bayrou, një aleat i ngushtë dhe politikan veteran i qendrës, mes spekulimeve se kush mund të zëvendësojë Barnier për të marrë përsipër detyrën e vështirë për të udhëhequr një qeveri të pakicës në një parlament thellësisht të ndarë.
Macron do t’i drejtohet kombit në një fjalim televiziv në orën 20:00 të enjten në mbrëmje, tha Pallati Elysée.
Yaël Braun-Pivet, presidente e Asamblesë Kombëtare dhe një anëtare e partisë të Macron, u takua me Presidentin francez të enjten dhe i kërkoi atij që të lëvizte shpejt.
“Nuk duhet të ketë asnjë hezitim politik”, tha Braun-Pivet. Ajo tha se një kryeministër i ri duhet të emërohet shpejt. “Ne kemi nevojë për një udhëheqës që mund të flasë me të gjithë dhe të punojë për të miratuar një projekt-ligj të ri buxhetor”, shtoi ajo.
Dorëheqja e detyruar e Barnier vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare këtë verë, të cilat rezultuan me një Parlament, ku asnjë parti, që kishte një shumicë të përgjithshme dhe e djathta ekstreme mban çelësin e mbijetesës së qeverisë.
Mandati i Macron zgjat deri në pranverën e vitit 2027. Disa – edhe pse jo të gjithë – nga kundërshtarët e tij i kanë bërë thirrje atij të japë dorëheqjen. Ai ka përjashtuar çdo mundësi për dorëheqje. Parlamenti i fragmentuar do të mbetet i pandryshuar pasi nuk mund të mbahen zgjedhje të reja legjislative të paktën deri në korrik.
Barnier ishte kryeministri i 5-të që nga ardhja e Macron në pushtet në vitin 2017, me secilin prej tyre një periudhë më të shkurtër kohore. Duke pasur parasysh turbulencat, kandidati i ri rrezikon një mandat edhe më të shkurtër se Barnier, mandati i të cilit ishte më i shkurtri nga çdo Kryeministër që nga fillimi i Republikës së Pestë në 1958.
Macron mund të emërojë shpejt kryeministrin e ri, thanë disa burime për AFP. Një burim i afërt me Macron tha se presidenti, i cili ka marrë kohë me emërimet në të kaluarën, nuk kishte “zgjidhje” veçse ta bënte këtë brenda 24 orëve.
“Dështimi i tij” ishte titulli i faqes së parë të së përditshmes së majtë Liberation, me një foto të Macron, mandati i të cilit zgjat deri në vitin 2027.
Ndërkohë, presidenti do të presë një ngjarje të madhe ndërkombëtare të shtunën me rihapjen e Katedrales Notre Dame pas zjarrit të vitit 2019, me të ftuar specialë, përfshirë Donald Trump në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që kur u rizgjodh President i SHBA.