LIFESTYLE, 21 Nëntor 2025, 14:26

“Ti ke pasur serat!”/ U akuzuan se kishin ngritur “shtëpi bari” në Australi, Elvis Pupa dhe bashkëshortja reagojnë në rrjete sociale

“Ti ke pasur serat!”/ U akuzuan se kishin ngritur “shtëpi

Aktori i njohur i humorit, Elvis Pupa dhe bashkëshortja e tij, Belinda Pupa, kanë reaguar sërish në lidhje me lajmet nga mediat e Australisë, se ata kishin ngritur një shtëpi bari.

Çifti ka publikuar në rrjetet sociale një video krah njëri-tjetrit, ku kanë ironizuar lajmet ndaj tyre.

“Ne jemi grupi armiqësor “Midhja”. Unë kam hedhur në erë hidrocentralin e Peqinit”, është shprehur Elvisi, ndërsa bashkëshortja e tij shprehet se “hidrocentralin e kam pasur unë, ti ke patur serat”, duke nënkuptuar shtëpinë e barit.

Më tej Belina Pupa shprehet se “çfarë do thotë bota për ne”, ndërsa aktori ironizon duke thënë “e hodhën dobiçin në ferr dhe tani dalin na hedhin hi syve ne”.

Elvis Pupa: Ne jemi grupi armiqësor “Midhja”. Unë kam hedhur në erë hidrocentralin e Peqinit.

Belina Pupa: Hidrocentralin e kam pasur unë pra!

Elvis: Po unë çfarë kam patur?

Belina Pupa: Ti ke patur serat!

Elvis Pupa: Po unë kam hedhur në erë serat e Sukthit. Kjo, hidrocentralin e Peqinit. Sa grup i rrezikshëm paskemi qenë mi.

Belina Pupa: Po ça do thotë bota për ne?

Elvis Pupa: Bota? “E hodhën dobiçin në ferr dhe tani dalin na hedhin hi syve ne. Hajde gëzuar për botën.


 
 
 
View this post on Instagram

A post shared by Belina Pupa (@belinapupa)

Kujtojmë se sipas raportimeve nga mediat e huaja, Belina Pupa u arrestua në muajin Maj të këtij viti nga autoritetet australiane, ndërsa aktori u shpallu në kërkim, pasi thuhej se ishte larguar nga Australia, ku ata jetojnë prej vitesh.

Elvis Pupa, në një postim në rrjetet sociale asokohe, u shpreh se nuk ishte arratisur, siç informuan mediat australiane, por shtoi se ndodhej në Tiranë prej më shumë se 1 muaji për shkak të angazhimeve profesionale.

“Dua ta bëj shumë të qartë: prej më shumë se një muaji ndodhem në Tiranë, ku po zhvilloj angazhime të rregullta profesionale, të planifikuara në Shqipëri dhe më gjerë në Europë”, theksoi ai.

Sa i përket “shtëpisë së barit”, aktori i humorit u shpreh se bëhej fjalë për një proces gjyqësor që ishte ende në zhvillim dhe se bashkëshortja e tij, Belina Pupa është e lirë.

“Sa i përket bashkëshortes sime, Belina, ajo vazhdon aktivitetin e saj profesional dhe është plotësisht e lirë. E gjithë situata që po trajtohet aktualisht është pjesë e një procesi ligjor që është ende në zhvillim, dhe siç është shprehur edhe ajo vetë, i takon drejtësisë të flasë e fundit”, theksoi Vis Pupa.

Ai përfundoi duke thënë që: “Ne do të përballojmë çdo situatë me qetësi, transparencë dhe respekt për të vërtetën”.

Ndërkohë, mediat australiane raportuan se Belina Pupa ka dalë në Gjykatën Magjistrale të Adelaide për dy akuza, një për kultivimin e kanabisit dhe një për ndërhyrje në furnizimin me energji elektrike pa leje.

Gjyqtarja mësohet se shtyu çështjen dhe e la Belina Pupën në liri me kusht.

“Zonja Pupa është punonjëse sociale dhe terapiste me një biznes ndërkombëtar, ajo punon me klientë në të gjithë botën, kryesisht me prejardhje shqiptare,” tha avokati i saj asokohe sipas mediave australiane. “Klientela e saj ndodhet në Shqipëri, Amerikë dhe Australi. Ajo udhëton për rreth tre muaj çdo vit për të qëndruar në Shqipëri dhe zhvillon punën e saj edhe në media”, tha ai.

Sipas dokumenteve të gjykatës, të siguruara nga “The Advertiser”, Pupa dyshohet se ka kultivuar bimët e kanabisit nga data 1 janar deri më 4 prill të këtij viti.