AKTUALITET, 26 Janar 2026, 13:23

Thellohet skandali në Bulqizë, Lleshi: Vëllanë ma vranë, na morën gratë, tani na ngacmojnë vajzat. Burg përjetë ose do të bëj vetëgjyqësi!

Thellohet skandali në Bulqizë, Lleshi: Vëllanë ma

Pak ditë më parë media ka raportuar një rast të ndodhur në Bulqizë, ku Lulzim Lleshi, vëllai i të cilit është vrarë në 2018 dhe trupi i të cilit u gjet në një tunel në fshatin Gjuras të Bulqizës, 9 muaj pasi ishte zhdukur pa lënë gjurmë, u shpreh se dy personat e arrestuar si autorë, u kishin marrë edhe gratë.

Sot një skandal tjetër doli në pah, ku një 12-vjeçare, vajza e viktimës, ka denoncuar njerkun e saj K.K, një nga të arrestuarit si autor, për ngacmim seksual, gjë që sipas saj vijonte prej 2 vitesh.

Në një reagim për gazetarinë Enver Doçi, Lleshi deklaron se një gjë e tillë ka ndodhur edhe me vajzat e tij.

“Mirë që vëllain ma vranë në një tunel në afërsi të fshatit Zogjaj por na morën dhe dy bashkëshortet, por po abuzojnë dhe me fëmijët e mitur që janë gjaku jonë.

Edhe dy vajzat e mia, njëra 15 dhe tjetra 13 vjeç në fund të gushtit të 2025 janë larguar nga Gjirokastra dhe kanë ardhur tek unë. Më kanë thënë se nuk shkojnë më atje sepse i ngacmonte seksualisht partneri i nënës.

Drejtesia t’i dënojë me burg të përjetshëm ose do të bëj vetëgjyqësi. Mire që bashkëshortet na i morën por po na ngacmojnë dhe dy vajzat e mia dhe vajzën e vëllait”, tha Lulzim Lleshi në një lidhje telefonike për News24.

ARRESTIMI

Dy vëllezër nga Dibra K.K dhe K.K, të dyshuar si të përfshirë në një vrasje në vitin 2018 u arrestuan nga policia në Gjirokastër. Operacioni u krye nga Policia e Dibrës, pasi kishin siguruar prova se dy vëllezërit të dyshuar të përfshirë në vrasje, strehoheshin në Gjirokastër.

Gjatë kontrollit të banesave të dy vëllezërve u gjetën dhe u sekuestruan 2 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 thikë, 3 krehra, municion luftarak, 1 maskë dhe 3 aparate celularë.

Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të verifikuar nëse janë përdorur për vrasjen e vitit 2018 apo në ngjarje të tjera kriminale.

Në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje, si dhe për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar për këtë rast.