AKTUALITET, 4 Tetor 2023, 12:37

"Tempulli"/ Arrestohet 36-vjeçarja në Durrës, në kërkim për shitje të lëndëve narkotike

"Tempulli"/ Arrestohet 36-vjeçarja në Durrës, në

Një 36-vjeçare është arrestuar nga policia e Durrësit, në kuadër të megaoperacionit ‘Tempulli’. E reja ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit i ka masën e sigurisë "Arrest në burg", për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. 

Më herët ditën e sotme në kuadër të megaoperacionit janë vënë në pranga edhe 2 të mitur në Fier dhe 49-vjeçari , A. Z., në Poliçan

Njoftimi i policisë:

Qaku Durrës/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 36-vjeçare e shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe procedurale, të kryera në vijim të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të mbështetur nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetaseje të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kapën dhe ndaluan shtetasen F. S., 36 vjeçe, banuese në Durrës.

36-vjeçarja ishte shpallur në kërkim pasi gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës i ka masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.