TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Temperaturat e larta do të mbizotërojnë gjatë fundjavës në të gjithë vendin. Sinoptikani Hakil Osmani parashikon që dita e diel të sjellë një tjetër rritje të temperaturave, me maksimumet që pritet të arrijnë deri në 39°C në disa qarqe.
Sot, temperaturat maksimale do të ngjiten pranë 38°C në Elbasan, Berat dhe Gjirokastër, ndërsa në Tiranë pritet të arrijnë në 37°C. Në zonat bregdetare temperaturat do të luhaten nga 33 deri në 36°C, ndërsa zonat malore do të regjistrojnë vlera më të freskëta, nga 29 deri në 32°C.
Të dielën pritet një tjetër rritje e temperaturave, me maksimumet që do të arrijnë deri në 39°C në Shkodër, Elbasan dhe Berat. Në kryeqytet temperaturat do të shkojnë rreth 38°C, ndërsa në bregdet nga 34 deri në 37°C.
Sipas Osmanit, vendi do të dominohet nga intervale të gjata me diell. Vetëm gjatë pasdites mund të ketë kalime të lehta vranësirash në zonat malore, por pa reshje shiu. Bregdeti dhe pjesa më e madhe e zonave të ulëta do të mbeten nën ndikimin e motit të kthjellët.
Temperaturat e larta do të vijojnë edhe gjatë pjesës së mbetur të muajit qershor. Në fillim të javës së ardhshme maksimumet pritet të luhaten mes 38 dhe 39°C në rang vendi. Edhe temperaturat minimale do të shënojnë rritje, duke arritur deri në 18°C në zonat malore dhe 20-24°C në ultësirën perëndimore dhe zonat jugperëndimore të vendit.