TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sipas projeksioneve më të fundit të Bankës Botërore, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet, duke shënuar një zgjerim prej 3.4%. Ky ritëm mbetet pozitiv, edhe pse më i ulët krahasuar me rritjen e vlerësuar prej 3.8% gjatë vitit të kaluar. Institucioni ndërkombëtar thekson se ulja e lehtë e parashikimit lidhet me përkeqësimin e klimës ekonomike në nivel global, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike dhe kostot në rritje të energjisë. Megjithatë, perspektiva afatmesme për Shqipërinë mbetet optimiste, pasi ekonomia parashikohet të përshpejtojë ritmet e saj në vitin 2027 me 3.7%, ndërsa në vitin 2028 të rritet me 3.6%. Eksperti i ekonomisë, prof.dr Adrian Civici, thotë se faktorët kryesorë që po ndikojnë në disi këtë ngadalësim, janë konfliktet në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve të energjisë dhe pasiguria në tregjet financiare ndërkombëtare.
“Rritja e PBB-së në nivelin 3.3%- 3.4%, 3.6%, apo dhe 4% siç janë parashikimit e qeverisë shqiptare, tregon për një ekonomi që nuk vuan nga një goditje strukturore ose sistemike. Nuk po shkëlqen në kuptimin që të ketë rritje spektakolare, sidomos të kontributit të sektorëve në rritjen ekonomike të vendit. Gjithsesi, ka një rritje të qëndrueshme në këto nivele. Është akoma e ulët për nevojat që ka Shqipëria, dhe për faktin që rritja ekonomike është elementi kryesor e kjo për faktin që rritja ekonomike është elementi kryesor nga të cilat varen të ardhurat tatimore, shpenzimet publike, vet buxheti dhe shumë elementë të tjerë, gjithsesi është një rritje e vlerësueshme” – thotë ai.
Në Ballkanin Perëndimor, pritshmëritë janë për një përmirësim të përgjithshëm të aktivitetit ekonomik. Ndryshe nga rajoni, panorama globale paraqitet më e vështirë. Banka Botërore ka reduktuar pritshmëritë për ekonominë botërore, duke parashikuar një rritje prej vetëm 2.5% në vitin 2026. Raporti paralajmëron se një përshkallëzim i mëtejshëm i tensioneve gjeopolitike mund të ketë pasoja edhe më të forta për ekonominë globale. Megjithatë, ekspertët shohin potencial zhvillimi në teknologjitë e inteligjencës artificiale, investimet në energjinë e gjelbër dhe forcimin e bashkëpunimit tregtar rajonal, të cilat mund të shërbejnë si motorë të rinj të rritjes ekonomike në dekadën e ardhshme.