AKTUALITET, 26 Qershor 2025, 11:21

“Të nxorën kartelet nga parlamenti”/ Koçi i përgjigjet Berishës: Turp të kesh! Ke masakruar krerët e PS dhe burgose Fatos Nanon! Ti je si Maduro

“Të nxorën kartelet nga parlamenti”/ Koçi i

Në seancën e sotme plenare, kreu i PD-së Berisha gjatë fjalës së tij akuzoi mazhorancën për bashkëpunim me krimin dhe mafien që solli fitoren në farsën elektorale sipas tij të 11 majit.

Më tej Berisha iu drejtua dhe socialistit Petro Koçi në seancë, të cilit i tha se nuk do jetë më në parlament, pasi ia morën vendin krimi dhe mafia.

Ky i fundit replikoi me Berishën, duke i thënë se është i fundit që duhet të flasë për zgjedhje të lira në këtë vend, pasi më parë ka rrahur komisionerët dhe krerët e PS-së, sakaq burgosi dhe kreun e kësaj partie Fatos Nanon për politikë.

Berisha: Petro, kush të nxori ty nga Parlamenti? Kartelet të nxorën, ti do thuash jo, por ata të nxorën, se po të ishe i tyre nuk do të nxirrnin.

Koçi: Sali ti je i fundit në Republikën e Shqipërisë që mund të flasësh për zgjedhjet e lira. Je kampioni i vjedhjes dhe grushtit shtetit në 96. A e mban mend ç’i ke bërë kreut të PS në Librazhd, e  masakruat. Një rrahje barbare me bandat tuaja elektorale. E mban mend ç’i ke bërë komisionerëve të Fierit.

I keni rrahur me bandën që bridhte. Në prezencë të deputetëve që vinin nga Italia të qendrës së votimit Shkolla Industriale. Banda qëlloi komisionerin e PS, Viktor Mihaj, trim mbi trimat. E qëlluat në sy të tyre. Ndërhyri pastaj ambasadori italian. Ti që burgose Fatos Nanon për politikë. Mos fol më për zgjedhje. Je në të njëjtën  frekuencë me Maduron. Duke akuzuar shqiptarët si mafie ndërkombëtare.Turp të kesh"!

Më heret, gjatë fjalës së tij, Berisha thumboi në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin socialist Petro Koçi, duke deklaruar se “kartelet e nxorën nga parlamenti”, pasi Koçi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai u shpreh se Petro Koçi është i komanduar dhe nuk ka asgjë për të thënë jashtë linjës së partisë.

“Nuk ke asgjë çfarë të thuash se do thuash atë që të kanë programuar. Flet apo jo, njësoj është,” – tha Berisha.

Në të njëjtën linjë ironie, Berisha përmendi edhe dy deputetet e reja të PS-së, Sara Mile dhe Zegjine Çaushi, duke pyetur se ku janë ato gjatë denoncimit të tij për përfshirjen e krimit në zgjedhje dhe duke thënë se ato janë produkt i një procesi që ai e quajti “farsa më e shëmtuar elektorale” në historinë e Shqipërisë.