AKTUALITET, 9 Janar 2023, 21:38

Të kujt janë 400 mijë eurot? Lorenc Vangjeli: Ato para do të mbeten jetime, sepse askush nuk do t’u dalë për zot

Të kujt janë 400 mijë eurot? Lorenc Vangjeli: Ato para do të

Analisti Lorenc Vangjeli tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se shumica e parave të gjetura në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi, rreth 400 mijë euro, do të mbeten jetime, sepse askush nuk do të guxojë të marrë përsipër për të shpjeguar burimin e tyre.

Sipas Vangjelit, policia e ka shumë të thjeshtë që t’i gjejë pronarët e tyre duke pyetur ata ku ka punuar si pastruese gruaja e arrestuar për grabitjen e shtëpisë së zyrtares së qeverisë, Alda Klosi.

“Ky është rasti klasik kur në kriminalistikë thuhet: Ndiq paranë që të zbulosh shumë të vërteta. Paraja që mund të ndiqet në këtë rast është një radiografi e çuditshme dhe shumë e saktë e shoqërisë shqiptare.

Reagimi i publikut është shprehje e tensionit gjithmonë e më në rritje që gjithmonë refuzojmë të shikojmë të disbalancës së shpërndarjes së të ardhurave. Në dy anë të rrugës banon një supermilioner dhe dikush që mezi shtyn fundin e muajit për t’u ushqyer, dikush që ka gjithçka dhe dikush që nuk ka asgjë.

Ky tension që duhet të jenë politikat shtetërore që ta mbushin, herët a vonë gjenerojnë forma të tilla, që janë kriminale, por që shoqëria jonë arkaike tenton të rivendosë ekuilibra.

Ka disa probleme që dalin njëri pas tjetrit në këtë histori, duke nisur nga zonja që ishte viktimë e vjedhjes. Ajo, sipas ligjit, duhet të vërtetojë legjitimitetin e të ardhurave të saj dhe duhet të rrëfejë qindarkë për qindarkë se si e ka krijuar këtë shumë. Pjesa tjetër e parave rrezikon të krijojë një rast të çuditshëm, sepse ato mund të mbeten jetime. Duke qenë në pamundësi për të justifikuar të gjithë shumën, nëse janë marrë në shtëpinë e viktimës, ato kanë gjasa të jenë marrë edhe në shtëpitë e tjera ku punonte si pastruese Rozeta. Por pronarët e vërtetë të tyre ende nuk kanë trokitur ende në polici sepse, përballë shansit për të humbur këto para dhe hyrjes në labirintin e shpjegimit se ku i kanë gjetur, është shumë e vështirë. Këtu është detyra e policisë. Listohen të gjitha banesat ku punonte zonja dhe secili nga ata merret në pyetje. Mua më ngjan se ato para do të mbeten jetime, sepse askush nuk do t’u dalë për zot. Si gjithmonë, mallit të vjedhur nuk i vihet emër. Te deklarimi i Ramës më bën përshtypje ajo fraza që ai thotë, që edhe lajmin e keq ta shndërrojnë në favor të tyre, kur thotë se llumi doli falë institucioneve. I bie që në këtë rast, nëse e quajmë të fajshme zonjën që i ka gjeneruar këtop para përmes korrupsionit, institucioni që u zbuloi ato ishte pastruesja”-deklaroi analisti Vangjeli.