AKTUALITET, 9 Janar 2023, 18:53

“Ia tërhoqën kasafortën me batanije”/ Rastet e grabitjeve spektakolare të biznesmenëve dhe zyrtarëve, shumica nuk denoncuan

“Ia tërhoqën kasafortën me batanije”/ Rastet e
Foto ilustruese: Grabitje

Në banesën e Alda Klosit, zyrtares së qeverisë saj janë vjedhur më së paku 120 mijë euro para kesh dhe bizhuteri, por ndërkohë në shtëpinë e familjes Dobi u gjetën dhe 400 mijë euro të tjera, të cilat nuk dihet se ku janë marrë. Dyshime ka se ato janë vjedhur në banesën e zonjës Klosi apo në disa banesa të tjera ku zonja  Rozeta Dobi punonte si pastruese. Banesa që janë po në pronësi të zyrtarëve të lartë. Por ajo që bie në sy është se si Alda Klosi ashtu dhe emra të tjerë që mund të jenë grabitur, nuk kanë bërë asnjë denoncim për 400 mijë euroshin.

Historia është e ngjashme me disa ngjarje të tjera që kanë ndodhur në vend, pasi ajo nuk është zyrtarja e vetme që është grabitur. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe ministra dhe deputetë, madje dhe vetë ish-kreu i SPAK. Në disa raste ngjarjet janë mbajtur të fshehta.

Më 12 nëntor 2014 ndodhi grabitja e shtëpisë së ish-ministrit të drejtësisë Nasip Naço. Ngjarja u duk sikur ishte bërë një tentativë grabitjeje ndaj vajzës, ndërsa hynte në apartament në zonën e ish-Bllokut. Po në atë kohë u bë grabitja edhe në shtëpitë e dy zyrtarëve të tjerë të LSI-së.

Në tetor 2017 u grabit banesa ku jetonte nëna dhe vëllai i ish-ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri. Nëna e tij depozitoi në polici një kallëzim penal se i kishin vjedhur disa pensione, por sipas të dhënave autorët kanë marrë shuma të mëdha parash nga banesa, duke hyrë në banesë nga dritarja e banjës.

Në Gjirin e Lalëzit, pas vjedhjes së vilës së Arben Ristanit, u grabit edhe banesa e ish-kreut të SPAK, Arben Kraja, i cili e mohoi, edhe pse dolën pamjet filmike të grabitësve.

E bujshme në shifra mendohet të ketë qenë grabitja e dy viteve më parë në shtëpinë e ish-sekretarit të përgjithshëm të Komitetit Olimpik Shqiptar (KOKSH), Stavri Bello. Zyrtari bëri denoncim për grabitjen, por më pas u tërhoq për arsye që nuk dihen.

Grabitje të bujshme për nga mënyra e realizimit mbahet ajo e njërit prej atyre që lakohen si “oligarkë”, biznesmenit A. Z., të cilit ai tërhoqën zvarrë kasafortën me batanije deri te ashensori i kullës luksoze ku jeton, por mendohet se aty brenda nuk ishin më shumë se 100 mijë euro.

Ndërsa nga banesa e ish-këshilltares së Ministres së Shëndetësisë, Manastirliu, mendohet se grabitësit kanë marrë një shumë të madhe parash që duhen shekuj t’i bësh me pagën e zyrtarit në Shqipëri, por edhe ajo nuk u denoncua nga zonja që kishte punuar prej disa vitesh në shëndetësi.