AKTUALITET, 3 Qershor 2022, 21:15

“Të gjithë folën me respekt për ty”/ Takimi i Ramës me Begajn në Kryeministri, kandidati për President: Do të jem 24/7 në shërbim të...

“Të gjithë folën me respekt për ty”/ Takimi i

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begajn pasi ai pranoi propozimin e mazhorancës për të marrë postin e Presidentit të ri.

Gjatë takimit në Kryeministri, Rama deklaroi se në mbledhjen e Kryesisë së PS-së, të gjithë anëtarët që folën, treguan respekt për Bajram Begajn.

Nga ana e tij, kandidati për President, u shpreh se për ushtarakun, nderi, detyra dhe atdheu janë motoja e punës.

Ai u shpreh se do të jetë 24/7 në shërbim të kësaj motoje.

Rama: Të gjithë folën me respekt dhe bindje se ju do të bëni punën tuaj deri në fund. Dua t’ju uroj që të jeni deri në fund, me atë besnikërinë që jyu karakterizon ndaj shtetit. Atë respekt që ju karakterizon ndaj ligjit, dhe atë forcë të madhe humanizmi që karakterizon forcat e armatosura. Cilësi këto që janë mëse të mjaftueshme për të besuar se ju do ta merrni shpejt përmasën e detyrës dhe do ta mëshironi atë simbolikë të unitetit kombëtar që është ADN-ja e Forcave të Armatosura.

Begaj: Për ushtarakun, nderi, detyra dhe atdheu janë motoja e punës. Do jem 24/7 në shërbim të kësaj motoje.

Kryeministri Edi Rama njoftoi pasditen e sotme pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, se mazhoranca propozoi emrin e Bajram Begës për të marrë postin e Presidentit të ri.

Menjëherë pas njoftimit të kreut të qeverisë, ka reaguar dhe Bajram Begaj i cili ka pranuar propozimin e Ramës.

KUSH ËSHTË BAJRAM BEGAJ?

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Në vitin 1989, gjeneralmajor Begaj ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë tre vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake. Gjeneralmajor Bajram Begaj flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.