AKTUALITET, 11 Nëntor 2021, 12:40

‘Tallje me demokratët’, Basha thirrje Berishës pas mbledhjes së 4200 firmave: Boll harxhove kohë me betejë personale

‘Tallje me demokratët’, Basha thirrje Berishës pas

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka dalë me një deklaratë të fortë nga selia blu, për Sali Berishën.

Një ditë pasi Berisha dorëzoi 4200 firmat e mbledhura për të thirrur Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Basha nuk është kursyer me akuza ndaj ish-kryeministrit, duke i bërë thirrje për të mos mbështetur kryeministrin Edi Rama.

“I zhgënjyer nga tallja që ka bërë me demokratët dje, duke fshehur blofin e tij dhe mungesën e firmave për ¼ e anëtarëve të Kuvendit që do të vinin në lëvizje mekanizmin për thirrjen e Kuvendit.

Nëse do ti kishte mbledhur do t’i kishte dorëzuar sipas statutit. Në mënyrë që të nisnim procedurën statutore që e njeh shumë mirë dhe fakti që nuk e ka bërë, çdo demokrat e kupton pse nuk e ka bërë.

E gjitha ka qenë një blof, e gjithë që nisi si një betejë gjoja për demokratizimin e PD-së përfundoi si një betejë për hallet e tij personale dhe pushtetin e tij personal”, tha Basha.

I pyetur se nëse firmat e duhura do të dorëzohen, a do të shkojnë në Kuvend, Basha tha se përgjigjja është statuti.

“Përgjigjja e statutit është fare e qartë. Ka një proces shumë të qartë, ua ka shpjeguar në detaje sekretari i përgjithshëm ndaj ju ftoj t’i referoheni që të mos bëhemi përsëritës, gjithçka që sekretari i përgjithshëm ju ka thënë dje.

Ndërsa qëndrimin tim si kryetar besoj e keni të qartë, është pa ekuivok”, shpjegoi Basha.