AKTUALITET, 10 Qershor 2025, 13:37

"Takoja policin Palushi"/ Alibej: Prokurorit i thashë kush ishin vrasësit, Dumanit i bleva shtëpi në Elbasan! Talo Çela strehohej te Mama, por na shpëtoi

"Takoja policin Palushi"/ Alibej: Prokurorit i thashë kush ishin

Në GJKKO po dëgjohet dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej, që bashkë me Nuredin Dumanin akuzohen për dhjetëra krime, atentate, me motiv hakmarrjen ndaj grupeve të tjera, apo edhe për pagesë e llogari të organizatave të ndryshme kriminale.

Alibej ka dëshmuar se këtë rrugë e nisi vetëm për t’u hakmarrë për gjakun e vëllait të tij të vrarë më 2018 në “Masakrën e Bradasheshit” në Elbasan, xhaxhait dhe mikut turk. Me Dumanin e lidhën interesat e përbashkëta pasi kishin të dy armik Talo Çelën, përpos vëllai i Dumanit dyshohej i përfshirë në vrasjen e Endrit Alibejt dhe dy të tjerëve.

“Klevis Allën s’e kam takuar asnjëherë, në këtë periudhë Nuredini s’po e merrte vesh nëse ky kishte folur për atë apo jo, pas vrasjes së vëllezërve Haxhia kam dalë nga shtëpia, kam shkuar në prokurori, me ka thirrur prokurori Ritvan Suka, më pyeti në lidhje me gjërat që i kisha vënë në dispozicion, edhe në prokurori shkova me motor, si shpërndares picash, në atë kohë unë kisha për çështjen e Xhoni Rustas avokat Demir Çiftjan, prokurorit i thashë prapë janë këto ekzekutorët, prokurori kërkoi prej meje informacion, pasi kishte ndodhur një plagosje në Elbasan, një Kei Piu”.
Në këtë moment GJKKO e ndaloi Erion Alibej që të dëshmojë për ngjarjen e plagosjes së Kei Piut, për shkak se nuk ishte objekt i këtij shqyrtimi gjyqësor.

Alibej vijoi më tej:

“Dumani ishte shpërngulur në Spille dhe ishte në gjendje jo të mirë dhe vendosa t’i marrë në Elbasan. I kam blerë një shpi, e kam kompletu dhe para se ta shpërngulja familjen e tij, fillimisht ka ardhur Nuredini. I kam thënë Sandër Bahos dhe ka shku e ka marrë në dalje të autostradës dhe fillimisht Dumani ka nejt te shtëpia e Sandrit”.
Ai ka rrëfyer edhe se si ka vijuar gjuetia ndaj Talo Çelës.

“Morëm një info për Talo Çelën që strehohej të Abedin Mama. Për të shku deri atje te fshati, Nuredini është angazhu me çunat e Fushë-Krujës, njeri quhej Veri dhe tjetri Besi. Janë bërë veprime te pularia, kanë hy brenda për ta kap Talon dhe i iku. Janë kthy te shtepia e Sandër Bahos dhe çunat e Fushë-Krujës në vendin e vet”, shtoi ai për GJKKO.

Alibej: Në SKY kisha kodet ‘Lizz’ dhe ‘Kumi’, në Enchro e kisha ‘Noku’! Besmir Haxhia mori pjesë në 3 atentate ndaj familjes time! Takoja dhe policin Palushi

Erion Alibej vijoi dëshminë e tij për dosjen “Plumbi i artë” si bashkëpunëtor i drejtësisë, për të zbërthyer të gjithë aktivitetin kriminal të bandave të organizuara ndër vite, ku edhe ai vetë ka urdhëruar dhe financuar shumë prej tyre.

“Makinën “Tojota” ja kam blerë Alban Qerosit, kështu i thërrasin, ky rri në Bruksel, ka qenë shok dhe ortak i Endritit në narkotrafik, makinat ishin në Shijak, kishte 2 makina madje, un në Sky Ecc kam pas kodin “Lizz” dhe “Kumi”, kurse në Enkrochat e kam pas “Noku”, ka vijuar dëshminë Alibej.
Ai ka folur edhe për miqësinë e zgjeruar që kishte, deri lidhjet me efektivë policie dhe oficerë.

“Unë rrija në shtëpi por vinin me takonin miq e shokë, kanë ardhur edhe policë, si Leonard Palushi, Arjan Spahiu ka qenë në dijeni të planeve tona dhe më ka ndihmuar nga ana monetare, Arjani fliste dhe me “fat katnarin”, ky kishte informacion mbi personat që më goditën familjen.
Foton e Besmir Haxhisë e kam nxjerr nga sistemi TIMS, kisha investiguar për të se ai kishte marrë pjesë në 3 atentate ndaj familjarëve të mi, emrin e tij nuk e mbaj mend, ma ka thënë Nuredini apo e kisha mësuar më para, mesa di lekët për vrasjen i ka nda Nuredini, me tha tha që i ka dhënë nga 35 mijë euro secilit”, vijoi bashkëpunëtori i drejtësisë.