AKTUALITET, 12 Janar 2022, 17:41

“The Economist”: Të paktën 12 mijë shqiptarë vdiqën për shkak të pandemisë

“The Economist”: Të paktën 12 mijë shqiptarë

Prestigjiozja britanike “The Economist” ka bërë një raportim mjaft të detajuar në lidhje me numrin e vërtetë të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia, ndryshe nga sa janë raportuar nga institucioneve përgjegjëse.

Pas përpunimit të të dhënave nga 186 shtete të botës, përfshirë edhe Shqipërinë, “The Economist” ka dalë në përfundimin se numri real i viktimave nga pandemia në të gjithë globin nuk është 5.5 milion, por rreth 19.1 milion. Kjo shifër është gati katër herë më e lartë nga ajo që kanë raportuar zyrtarisht shtetet.

“The Economist”: Të paktën 12 mijë shqiptarë
Vdekjet e deklaruara dhe ato reale nga pandemia ne Shqiperi sipas grafikut te pergatitur nga “The Economist”

Sa i përket Shqipërisë, duke iu referuar metodologjisë së mësipërme, “The Economist” vlerëson se numri real i të vdekurve për shkak të pandemisë varion mes 12 mijë dhe 15 mijë personave, ndërkohë që shifra zyrtare e deklaruar si të vdekur nga koronavirusi është 3247.

Te kjo shifër nuk janë vetëm ata që kanë vdekur drejtpërdrejt nga koronavirusi, por edhe pacientë me sëmundje të tjera, të cilët nuk kanë mundur të marrin mjekimin apo shërbimin e duhur për shkak të mbushjes së spitaleve apo orientimit të resurseve kryesisht në drejtim të përballimit të pandemisë.

Për të arritur në këtë tregues, “The Economist” ka përdorur një model kompjuterik, i cili ka krahasuar vdekshmërinë në kushte normale të popullsisë në një rajon dhe kohë të caktuar me numrin e të vdekurve të deklaruar nga autoritetet pavarësisht shkakut të tyre.